Lajme

60 milion euro humbje në Trust, Ferat Shala: A ka qeveri ky vend?


Ferat Shala, deputet i PDK-së

“A ka Qeveri ky vend?!”, ka pyetur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ku ka treguar se situata në Trustin e Kosovës është alarmante.

“Humbjet në Trust gjatë këtij muaji, janë rreth 60 milion euro! Situata në Trust është alarmante!”, bën thirrje Shala.

“Gjatë vitit 2022, të gjithë kontribuuesit e vendit kanë humbur hiq më pak se 118 milion euro mjete të tyre në Trust. Trendi i rënies së aksioneve është në situatë shqetësuese edhe këtë vit”, ka reaguar deputeti Shala, njëherit kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi.

“Vetëm gjatë këtij muaji që jemi tani, konkretisht nga data 1 mars deri më sot, në Trust kemi humbur rreth 60 milion euro!”.

“Përkundër kësaj situate, Qeveria ende nuk e ka vendosur bordin menaxhues. Rreth 3 miliard euro të Trustit janë në mëshirën e rrethanave dhe kohës, nën mëshirën e tregjeve globale, praktikisht nën mëshirën e askujt!”.

Në këtë reagim, shala ka përmendur kohën kur PDK donte që një pjesë e këtyre mjeteve të kalonte tek qytetarët, ashtu siç kërkonin edhe vet qytetarë, të cilët nënshkruan edhe një peticion që t’u lejohet tërheqja e një % të kursimeve nga Trusti, por që qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave specifikisht kundërshtonin, duke thënë se po të bëhet kjo, Trusti shkatërrohet.

“Jo shumë larg nga tash, kur Partia Demokratike kërkonte që një pjesë e mjeteve t’iu kthehej qytetarëve, atyre që kishin kontribuar, Qeveria dhe mazhoranca me këmbëngulje refuzuan dhe votuan kundër, në emër të ruajtjes së skemave sociale për moshën e pensionimit”, thotë Shala.

“Koha po e vërteton kërkesën e drejtë e legjitime të qytetarëve për Trustin, sidomos sot kur humbjet janë në total rreth 200 milion euro”, përfundon ai.

Për mungesën e Bordit të Trustit, një ditë më parë kishte reaguar edhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Edhe ky në Facebook, kishte shkruar duke thënë se rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit, kjo pasi tij po ndodhë për shkak të mungesës së bordit të Trustit.

Sipas Hotit, në mungesë të bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie.

“Pasojat tanimë po i bartim. Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie”, kishte shkruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Trusti Pensional i Kosovës, është pa bord nga muaji nëntor i vitit 22022. Mandati i anëtarëve të bordit u kishte përfunduar më 30 nëntor të atij viti, por që u ishte vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

Ndërsa konkursi për përzgjedhjen e bordit të ri, është i hapur që nga 2 dhjetori i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore