Shqipëria

556 vjetori i vdekjes së Skënderbeut – ku dhe si vdiq Gjergj Kastrioti?


Ilustrim: Vdekja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

Më 17 janar të vitit 1468 vdiq heroi kombëtar i shqiptarëve – Gjergj Kastrioti, i njohur gjerësisht si Skënderbeu – titull ky i fituar për shkak të shkathtësive dhe arritjeve të tij ushtarake – ndërsa të mërkurën e 17 janarit të vitit 2024, shënohet 556 vjetori i vdekjes së tij.

Gjenerali dhe strategu stoik, Gjergj Kastrioti përbën histori unike – i bëri ballë Perandorisë më të fortë të kohës, asaj Osmane. Me një ushtri të vogël në radhët e tij arriti me sukses që t’i shkatërroi ushtritë që një pas një sulltanët osmanë ia dërgonin në përpjekjen e tyre dëshpëruese për t’ia pushtuar tokat, dhe për t’ia nënshtruar popullin.

Ai është personaliteti shqiptar për të cilin është shkruar më së shumti si nga historiografia botërore, por edhe nga ajo shqiptare.

Datën e vdekjes së Skënderbeut e saktësoi historiani gjerman Jakob Philipp Fallmeryer, i cili duke u mbështetur në një tekst të kronografit bizantin Georgios Sfranzis, e fiksoi 17 janarin e vitit 1948.

Këtë datë e japin nëpër studimet e tyre edhe historianët shqiptarë, por edhe të huaj.

Tek libri “Historia e Shqipërisë I” – botuar në vitin 1959, me autorë Selim Islami dhe Kristo Frashëri – si datë të vdekjes e paraqesin po 17 janarin e vitit 1468.

Marin Barleti, vepra e të cilit është e para për kryeheroin e shqiptarëve, dhe bazë për veprat pasuese, po ashtu e jep të njëjtën datë.

Historianët, në masë të madhe kanë konsensus edhe sa i përket rrethanave dhe shkaqeve në të cilat vdiq Gjergj Kastrioti.

Fan S. Noli, në veprën e tij kushtuar kryheroit, botuar në vitit 1921, duke përshkruar momentin e vdekjes së Skënderbeut, thotë se “munt t’a marrim me ment hidhërimin që ndjeu Skënderbeu, kur hodhi rreth tij syrin e mjegulluar nga hija e vdekjes dhe s’pa asnjë princ shqiptar, të zotin për te pasuar veprën, të cilën vdekja s’e la t’a mbaronte. Pastaj u përshendosh me të gjithë, kungoj, e dha shpirt më 17 Jenarit, 1468”.

Ndërsa, dokumenti i parë që e njofton vdekjen e Skënderbeut, është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia. Ky lajm arrin në Venedik më 13 shkurt 1468 – afër një muaj pas vdekjes.

Sa i përket versionit për shkaqet e vdekjes, studiues të shumtë që janë marrë me figurën e tij thonë se ka ardhur si rezultat i një sëmundje të panjohur.

Por, ka edhe spekulime se ai mund të ketë vdekur nga tuberkulozi ose pneumonia, por nuk ka asnjë provë përfundimtare për të konfirmuar shkaqet e vdekjes së tij.

Gjon Muzaka – një kohanik i Skënderbeut, përderisa përshkruan vdekjen e Skënderbeut thekson se: “Vetë Skënderbeun i sfilitur nga armiqtë, e gati i pashpresë, e zunë ethet ne Lezhë, ku edhe vdiq …”.

Edhe Dhimitër Frëngu; bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe dëshmitar okular në vdekjen e tij, historianët shkruajnë se e jep po të njëjtin version si të Gjon Muzakës; se e nxunë ethet dhe vdiq.

Marin Barleti – duke përshkruar momentet e fundit të Skënderbeut, vizitën që ja kishte bërë duke kalëruar ushtrisë, dhe arritjen e tij në Lezhë ku i kishte mbledhur princat arbërorë; po ashtu shkruante se “e zunë një palë ethe të rënda”.

Sa për vendin ku u varros, përkundër spekulimeve të shumta, Fan Noli shkruante se varrimi u bë në katedralen e Shën Kollit në Lezhë.

Skënderbeu do të vlerësohej gjatë kohës sa ishte gjallë, gjithashtu edhe pas vdekjes së tij. Papa Piu II është njëri nga kohanikët e Skënderbeut i cili do ta nderonte me vlerësimin si; Athleta Christi (Atlet i Krishtit). Papa Pavli VI – në vitin 1968, do ta vlerësonte figurën e Skënderbeut si një nga simbolet se si duhej ndërtuar Evropa.

Filozofi iluminist danez, Ludving Holberg, e përshkruan kështu Skënderbeu-n’ “Me një fjalë mund të thuhet: Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori”.

Një nga epitetet më të përdorur për Skënderbeu-n është “Mbrojtës i Qytetërimit Perëndimor”. Kjo për faktin se për 25 vjet me radhë, e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në kryeqendrat evropiane, pasi që mbronte shqiptarët nga sundimi i huaj.

Për shkak që është pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve, përkujtimi për Skënderbeun është i pashmangshëm në çdo përvjetor të rëndësishëm të tij.

Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut nuk ishte e rëndësishme vetëm por kohën kur ai jetoj. Do të ishte inspirim për gjenerata me radhë, në momentet më kritike për popullin shqiptar.

Në një nga periudhat më të ndritura të kombit shqiptar; Rilindjes, Skënderbeu do të ishte figura kyçe përmes të cilit rilindësit do ta ngrinin vetëdijen kombëtare. Ata u thirrën në lavdinë e tij për të krijuar reaksion përbrenda vendit, në mënyrë që kundërvënia ndaj sunduesit osmane – atij që vetë Skënderbeu e kishte luftuar për vite me radhë, dhe ndaj të cilit kishte korrur fitore të shumta – të ishte sa më e madhe, dhe si rezultat përfundimtar të sjellte lirinë dhe pavarësinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore