Lajme

50 gazetarë të vrarë në mbarë botën vitin e fundit


Në vitin 2020,  50 gazetarë janë vrarë sipas raportit vjetor të akteve të dhunës, të kryera ndaj gazetarëve në të gjithë botën.  Nëse numri i gazetarëve të vrarë, në zonat luftarake po ulet,  e kundërta po ndodh me gazetarët e vrarë në vendet në paqe.

Nga data 1 janar deri më 15 dhjetor 2020, Reporter sans Frontiers (RSF) ka identifikuar  rastet e 50 gazetarëve të vrarë për shkak të profesionit të tyre.  Kjo shifër qëndron konstante, në krahasim me vitin e mëparshëm (53 të vrarë në vitin 2019), pavarësisht se reportazhet janë zvogëluar në numër për shkak të pandemisë së coronavirus-it. Në vitin 2016, 58% e gazetarëve të vrarë ndodheshin në zona konflikti. Sot, propocioni i gazetarëve të vrarë në zonat e shkatërruara nga lufta (Siria, Jemeni) ose zonave  të minuara nga konflikte me intensitet të ulët ose mesatar (Afganistani, Iraku) është rritur me 32%. E thënë ndryshe, 68% (më shumë se dy të tretat) e gazetarëve të vrarë ndodheshin në zonat në paqe, specifikisht në Meksikë (tetë të vrarë), në Indi (katër të vrarë), në Pakistan (katër të vrarë), në Filipine  (tre gazetarë të vrarë)  dhe në Honduras (tre gazetarë të vrarë). 

Nga të gjithë gazetarët e vrarë në  vitin 2020, 84%  u vunë në shënjestër dhe u eleminuan qëllimisht, përkundrejt 63% në vitin 2019. Disa prej tyre janë vrarë në kushte barbare.

Në Meksikë,  gazetari i së përditshmës  El Mundo,  Julio Valdivia Rodríguez, u gjet me kokën e prerë në Veracruz. Kolegu i tij, Víctor Fernando Álvarez Chávez, redaktor i një faqeje informimi vendase Punto x Punto Noticias u gjet i prerë në copa në qytetin e Akapulkos. Në Indi, gazetari i së përditshmes Rashtriya Sëaroop, Rakesh Singh “Nirbhik” u dogj i gjallë, pasi e spërkatën me dezinfektuesh duarsh shumë të ndezshëm, ndërsa gazetari Isravel Moses, korrespondent i stacionit televiziv të  Tamil Nadu-së u vra me hanxhar.  

Ndërsa në Iran  ishte shteti ai që bëntë xhelatin: administratori i rrjetit televiziv Telegram Amadnews, Rouhollah Zam, u dënua me vdekje në varje me litar pas një gjykimi të padrejtë.

Çështjet më të rrezikshme për t`u mbular mbeten hetimet në rastet e korrupsionit vendas dhe shpërdorimi i fondeve publike (10 të vrarë në vitin 2020) ose çështjet e mafias dhe të krimit të organizuar (katër të vrarë).  Këtë vit shtatë gazetarë u vranë teksa mbulonin disa protesta.  Në Irak tre gazetarë u vranë në të njëjtën mënyrë: me një plumb në kokë  nga disa njerëz të paidentifikuar.

Në raportin vjetor, të vitit 2020 të gazetarëve të burgosur, të marrë peng dhe të zhdukur, të publikuar më 14 dhjetor, Reporters Without Borders raporton se 378 gazetarë janë aktualisht të burgosur për ushtrimin e  profesionit të tyre.

Viti 2020 ka pasur një rritje në lidhje me numrin e grave gazetare të burgosura në mënyrë arbitrare. Gjatë këtij viti ka pasur një katërfishim të numrit të arrestimeve të gazetarëve, gjatë tremujorit të parë të pandemisë së coronavirus-it. 14 gazetarë janë arrestuar   dhe janë ende në burgim për shkak të raportimeve të tyre gjatë  pandemisë transmeton Albanian Post nga Reporters sans Frontiers. 

Në total 937  gazetarë janë vrarë si rezultat i punës së tyre në 10 vitet e fundit. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore