Sport

36 ndeshje pa humbje, Italia thyen çdo rekord


Italia ka thyer rekordin e më së shumti ndeshjeve pa humbje me radhë në historinë e kombëtareve.

Edhe pse u deshën dy barazime për të arritur këtë, kampionët evropianë janë ngjitur në majën më të lartë të podiumit sa i përket këtij rekordi.

Me barazimin përballë Zvicrës, Italia ka arritur ndeshjen e 36-të me radhë pa disfatë.

Azurët kanë lënë prapa Brazilin dhe Spanjën në këtë listë, të dyja skuadrat me nga 35 ndeshje.

Brazili rekordin e 35 ndeshjeve pa humbje e arriti nga viti 1993 deri në 1996.

Kurse sa i përket Spanjës, iberikët këtë e arritën mes viteve 2007 – 2009.

Italia, në anën tjetër, ndeshjen e fundit e kishte humbur më 10 shtator, 2018, përballë Portugalisë.

Skuadrës së Roberto Mancini-t i duhen edhe katër ditë për të shkuar tre vite pa njohur shijen e disfatës.

Kundërshtari i tyre i radhës do të jetë Lituania, në Reggio Emilia.

Kampionët evropianë vazhdojnë të shkruajnë historinë, derisa synojnë rikthimin në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2014.

Rekorde si kjo rrallë thyhen, andaj skuadra e Mancini-t me gladiatorët në fushën e blertë, po shkruajnë një histori që shumë rrallë shkruhet, para syve tanë.

Më 8 shtator, për të thelluar edhe më shumë rekordin, Italia përballet me modestët lituanezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore