Lajme

31 mjetet transportuese që u konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjë, iu dhanë në shfrytëzim Policisë së Kosovës


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se 31 mjetet transportuese që janë konfiskuar në Banjë të Zveçanit pas sulmit terrorist të vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, iu janë dhuruar Policisë së Kosovës për shfrytëzim.

“Para pak kohësh Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Konfiskuar ka pranuar vendimin e gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhen me rastin e sulmit në Banjë që po hetohet nga Prokuroria Speciale. Këto vetura Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”, tha Haxhiu para gazetarëve.

“Gjatë këtyre ditëve ne kemi nisur ta zbatojmë urdhrin e Gjykatës të Apelit që ndërlidhet me menaxhimin e pasurisë që është e sekuestruar, bëhet fjalë për villen e kriminelit Radojiçiç, restorantit dhe banesës dhe tash jemi duke punuar për menaxhimin e kësaj pasurie deri në përfundim të procedurës nga institucionet e hetuesisë”.

Gjatë këtij deklarimi para gazetarëve, ajo është shprehur e habitur se pse ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria Speciale ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili pranoi se ishte organizatorit i sulmit në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.

Albulena Haxhiu

“I bashkohet thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që rasti i Banjës të trajtohet me dinjitet, është e habitshme për neve që ende nuk ka aktakuzë për këtë rast, meqë tash dihet se kush e ka udhëhequr këtë sulmin terrorist”, shtoi ajo.

“Këta kriminel janë edhe në listë të INTERPOLIT, ne ju kemi bërë thirrje partnerëve tanë që t’i bëjnë presion Serbisë e cila është shndërruar në strehë të kriminelëve. Serbia duhet t’i dorëzojë këta kriminel që të dalin para drejtësisë”.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore