Lajme

30 vjet nga sulmi i parë ndaj familjes Jashari


Shtëpia e familjes Jashari në Prekaz

Më 30 dhjetor të vitit 1997, familja e Adem Jasharit, përjetoi sulmin e parë nga forcat e armatosura serbe.

Para 30 vitesh, forcat e armikut, këtë ditë, hasën në rezistencë të fuqishme të familjes Jashari.

Sulmin e dytë kjo familje e pati disa ditë pas. Më 22 Janar të vitit 1998 në ballafaqim e sipër, dy persona nga kjo familje mbetën të plagosur, dy vajza.

Siç kanë treguar ata që e kanë përjetuar, sulmi ishte i rrufeshëm por edhe përgjigjja ishte e rrufeshme.

Sulmi i diversantëve serbë, familjen Jashari nuk e gjeti të befasuar, përkundrazi mobilizimi ishte i shpejt, i guximshëm dhe mjaft profesional. Ky mobilizim i familjes Jashari është një vlerë shtesë e kësaj familje atdhetare me përgatitje të lartë ushtarake.

Ky sulm ishte një paralajmërim tjetër serioz se Serbia po përgatitej për të ushtruar dhunë në çdo familje shqiptare dhe për t’i luftuar shqiptarët kudo në Kosovë.

Më 5, 6 e 7 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë, sulmohet nga shteti serb me forca të mëdha policore dhe ushtarake. Forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë.

Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Gratë dhe fëmijët e familjes Jashari

Pas vdekjes, Adem Jashari u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit.

Shtëpia e familjes Jashari pas pavarësisë së Kosovës u kthye në shtëpi përkujtimore.

Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm.

Në Prekaz gjithashtu gjendet edhe një muze ku ekspozohen veshjet dhe gjërat e familjes Jashari.

30 dhjetori shënohet edhe si Dita e Veteranit. Sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, kjo datë shënohet, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

Kjo ditë sjell në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, aty ku nisi rruga e lirisë.

Në këtë ditë kujtohet deri në përjetësi Prekazi, Gllogjani e të gjitha vatrat e luftës, që i rezistuan makinerisë ushtarake serbe duke mos u përkulur deri në fitore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore