Kosova

30 ditë paraburgim për personin që kanosi me vrasje kryeministrin Kurtin


Albin Kurti

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të pandehurit N.S, i cili akuzohet për kanosje me vrasje të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës, Departamenti Special ka vendosur për këtë masë që është kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës “për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet aty.

Aty potencohet se masa e paraburgimit është caktuar “në harmoni me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e KPPRK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, bëhet me dije se kundër këtij aktvendimi, “palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

Për personin në fjalë, Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte bërë të ditur me 31 gusht se e kishte arrestuar pasi që ka kanosur me vrasje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar sot të dyshuarin me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së”.

Nga Prokuroria është thënë se i njëjti ka bërë shkrim në rrjetin social ‘Facebook’ e po ashtu të njëjtën deklaratë kërcënuese e ka përsëritur edhe në emisionin “Debat Plus”.

“Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’,  të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë”, thuhej në komunikatë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës nenit 128, kryerja e kësaj vepre dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, parashihet me Kodin Penal.

Më 30 gusht edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Ekrem Lutfiu.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka intervistuar sot, personin me inicialet, F.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’, ka thënë Lutfiu për AP.

Arrestohet një person për kanosje me vrasje ndaj kryeministrit Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore