Kosova

“27 shkurti – fejesa e Kurtit dhe Vuçiç’it”


Ilustrim

Sipas Ish-shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, 27 shkurti është dita e fejesës së Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç’it.

“Kurti dhe Vuçiç do të kenë fejesë në Bruksel dhe kumbarët që organizuan këtë nuk do të tolerojnë ndryshimin e mendjes së tyre pas të gjitha premtimeve që morën dhe pas gjithçkaje që investuan”, ka thënë Ponosh.

Duke argumentuar se pse se marrëveshja e ofruar nuk është e mirë për Serbinë, ani pse ajo nuk përmban njohjen eksplicite të Kosovës, Ponosh thotë se e njejta i jep hapësirë 5 shteteve mos njohëse në kuadër të Bashkimit Evropian të interpretojnë se Serbia në mënyrë indirekte pranon shtetësinë e Kosovës.

“Një marrëveshje e tillë nuk do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe atyre që jetojnë në territorin e Kosovës. Për mua është e qartë pse perëndimorët po këmbëngulin që marrëveshja të nënshkruhet, prioriteti i tyre është zgjidhja e krizës në rajon në mënyrë që ajo të mos bëhet një terren pjellor për ndikimin rus”, ka argumentuar ai.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore