Muzikë

26-vjet pas vdekjes së tij, Tupac do të nderohet me një yll në “Hollywood Walk of Fame”


Ikona e ndjerë e muzikës rep, Tupac Shakur do të nderohet me një yll të personalizuar në bulevardin e  figurave të famshme “Hollywood Walk of Fame”, pas afro tri dekadash që kur është ndarë nga jeta.

Ceremonia e zbulimit të yllit të rep artistit amerikan do të mbahet me datën 7 qershor dhe këtë e ka konfirmuar Dhoma e Tregtisë në Hollywood, transmeton AlbanianPost.

Ylli i Tupac do të jetë i 2 mijë e 756 për nga renditja, dhe motra e tij, Sekyiwa Shakur është personi që do ta pranojë nderimin në emër të tij.

Ceremonia do të prezantohet nga gazetari Big Boy dhe brenda saj do të ketë edhe fjalime, ku pranë të ftuarve do të shfaqen regjisori Allen Hughes dhe shkrimtari Jamal Joseph.

Shakur, i cili njihet në skenë si 2Pac, publikoi albumin e tij të parë në vitin 1991 dhe që atëherë ka shijuar suksesin e hiteve të tij duke përfshirë “California Love”, “All Eyez on Me”, “Changes” e “I Ain’t mad at Cha”.

Ai vdiq më 13 shtator 1996, pasi u qëllua katër herë në Las Vegas, në moshën 25 vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore