Kosova

“Ngrihu trimi jem, se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë”, gruaja e Agim Ramadanit me vargje emocionuese në 25-vjetorin e rënies së “Katanës”


Shukrije Ramadani, gruaja e heroit Agim Ramadani, në 25 vjetorin e rënies heroike të burrit të saj, një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ia ka kushtuar disa vargje emocionuese atij.

Poezia e Ramadanit kushtuar burrit të saj të ndjerë, mes tjerash paraqet vargje që shpërfaqin dhimbjen e saj të brendshme nga mungesa e tij në jetën e saj.

Lexojeni poezinë e plotë dhe pa ndërhyrje:

Murana jote jam unë!

Rrobat ti palova si dhimbjet e mia, me lot ti pastrova e gjakun me u tha se lash Si dritën e syrit, buzëqeshjen ne raftin e shpirtit e ruajta!

Pa lule asnji herë stê erdha, e fjalën dy sta bana kurrë, se si nuse t’fisme e të besës më dashte!

Te dy lisat e kronit qerpiku më dridhet si teli i qiftelisë e zëri yt i ëmbël n’gurgullimë uji përzihet, trupi më mpihet nga pesha e krahut në belin tim.

Era luan me pemët e harlisura e gishterinjë lehtas t’ngatërrohen në flokët e mia plot petale.

Me duart që mi puthje aq shpesh, sot, zgjedh lule për varrin tënd! Shpejt mbuloj tokën që mos ta shoh dheun që gjakun ta thithi ma unshëm se unê dashninë!

Me angushti zemre në heshtje këlthas; Ngrihu trimi jem,se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë!

Zgjohu, se petka të ngushta po i priten atdheut, eja këtej kah ende tërbueshëm kalërojnë stuhitë!

Në 25 vjetorin e rënies së tij, Agim Ramadanin e ka përkujtuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero”, tha Osmani, ka njoftuar zyra e saj për media.

Sipas saj, Ramadani është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

“Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë. Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin”, ka shtuar ajo.

Edhe opozita po ashtu e kanë vlerësuar sakrificën e tij për shtetin e Kosovës, duke e quajtur si “luftëtar të vërtetë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Ramadani e kishte nderuar edhe Dukagjinin, e mbarë kombin shqiptar.

“Ndër protagonistët kryesorë të Betejës së Koshares gjithsesi është emri i një luftëtari të vërtetë e me virtyte të larta. Agim Ramadani, strategu që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, emër ky që u bë tmerr për armikun”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se ndaj Ramadanit, do të jenë mirënjohës për gjithë jetën.

“Agim Ramadani – komandant “Katana”, e dinte përgjigjen në këtë pyetje para se ta shkruante këtë poezi. Prandaj, radhitja në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u bërë pjesë e luftës për liri, ishte mënyra e tij për të thënë se, JO, nuk mjafton të shikojmë. Se liria nuk falet, por fitohet me gjak”.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Agim Ramadani, aq sa sjell kujtime të gëzuar, në të njëjtën kohë kujton edhe momente më të vështira.

“Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme, janë disa ditë që aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Ditë të tilla janë këto të prillit, kur në majet e larta nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Ndryshe, 11 prilli shënon 25 vjetorin e rënies së heroit të kombit, komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani, i cili ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më tre maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë.

Po ashtu, njihet me emrin konspirativ-Katana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore