Vende

2,5 milionë turistë vizituan zonat e mbrojtura gjatë muajve janar-korrik 2024


Në të gjithë Shqipërinë, zonat e mbrojtura janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka bërë me dije se 2,5 milionë vizitorë shijuan nga afër zonat e mbrojtura gjatë muajve janar-korrik 2024.

Ndryshe, 28 % më shumë se një vit më parë, ku numëroheshin 1,9 milionë vizitorë.

Kjo shifër, sipas saj, është tregues i rritjes së turizmit të qëndrueshëm, interesit për ekoturizmin, sportet e natyrës dhe kuriozitetin për të njohur biodiversitetin tonë.

Kumbaro është shprehur ndër të tjera se “ka një interes të rritur për të eksploruar parqet kombëtare e natyrore, monumentet e natyrës e peizazhet e mbrojtura nga veriu në jug, ku vendin e parë e mban qarku i Shkodrës me 609 mijë vizitorë”.

Sakaq, ndër qarqet e tjera më të vizituara janë Korça me 573 mijë vizitorë, Fieri me 359 mijë vizitorë, Vlora me 313 mijë vizitorë, Durrësi me 212 mijë vizitorë dhe Tirana me 92 mijë vizitorë.

Ndërkohë, ndër parqet më të vizituara gjatë korrikut janë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 91 mijë vizitorë, Peizazhi i Mbrojtur Liqeni i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit me 74 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë vizitorë, Parku Natyor Syri i Kaltër me 65 mijë vizitorë, Parku Natyror Lugina e Shalës me 37 mijë vizitorë.

Ndër të tjerat më të vizituara renditet Rezervati Natyror i Menaxhuar Liqeni i Shkodrës me 40 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Mali i Dajtit me 15 mijë vizitorë, Parku Natyror i Qafë Shtamës me 13 mijë vizitorë, Parku Kombëtar i Prespës me 11 mijë vizitorë, Parku Kombëtar lumi i Vjosës dhe 10 mijë vizitorë.

Parqet kombëtare në Shqipëri janë kthyer në të preferuarat e turistëve vendas dhe të huaj duke nxitur turizmin gjithëvjetor.

Shqipëria, përveç bukurive bregdetare, ofron edhe një peizazh dhe klimë mjaft të mirë që i krijon vizitorëve mundësinë e eksplorimit të vendeve të ndryshme.

Shqipëria turistike numëron 6.3 milionë vizitorë në 7 muajt e këtij viti, ose 1.2 milionë më tepër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i vizitorëve ishte 5.3 milionë.

Kryeministri Edi Rama publikoi statistikat, teksa vuri në dukje se Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi, “bashkë me nevojat e padiskutueshme, pritshmëritë e natyrshme, pretendimet e mirëkuptueshme, kritikat e pashmangshme apo edhe sulmet që i bëhen nga burime të llojllojshme keqinformimi apo dezinformimi”.

“Ndër të gjitha pritshmëritë, më e padiskutueshmja është rishikimi i mëtejshëm i formulës së administrimit të plazheve, ku më mbizotëruesja është nevoja jo vetëm për më shumë hapësira publike, po edhe për një shfrytëzim shumë më të përgjegjshëm të hapësirave të administruara nga subjektet private”, tha ai.

Rritja e mëtejshme e numrit të vizitorëve, theksoi Rama, ka rritur paralelisht edhe peshën e sfidës së pastërtisë, ku janë bërë përmirësime të mëtejshme, po ku duhet bërë dhe do të bëjmë më shumë akoma padiskutim, duke nxjerrë mësime të reja e marrë masa të reja.

“Ka pasur eksese kundërproduktive me çmimet në zona të caktuara, përkatësisht Vlorë e Sarandë, ku është regjistruar krahasuar me vjet edhe rritja më e lartë e numrit të njësive restorant/bar me rreth 40% njësi të reja, ndërsa rritja e tyre në shkallë vendi është 37%”, shtoi Rama.

Por, vijoi ai, ndërkohë që xhiroja në të gjithë pjesën tjetër të vendit është rritur me afro 40%, në këto zona ajo është rritur me më pak se 20%, pikërisht edhe si pasojë e rritjes eksesive të çmimeve, të cilat u korrektuan pjesërisht duke nisur nga gjysma e dytë e korrikut – një mësim për të mos u harruar nga operatorët në tregun e lirë, të cilëve nga sezoni i ardhshëm do t’u imponohet afishimi i çmimeve në hyrje të çdo lokali.

Sipas Ramës, infrastruktura e zhvilluar më tutje nga viti i kaluar, qoftë ajo rrugore apo ajo e furnizimit me energji e me ujë, si edhe masat e marra për mbrojtjen e ujërave larës kanë dhënë kontribut të padiskutueshëm në rritjen e cilësisë së sezonit, por është po kaq i padiskutueshëm volumi i madh i punës që mbetet për t’u bërë në këto drejtime për “Shqipërinë Turistike 2030”.

Më tej, kryeministri vuri në dukje se rritja e lartë e numrit të vizitorëve në zonat malore dhe liqenet e lumenjtë e vendit, nga veriu në jug, falë jo vetëm imazhit të ri joshës të Shqipërisë po dhe përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës e rritjes së numrit të njësive të shërbimit, ashtu sikundër edhe në qytetet jobregdetare me në krye Tiranën, është lajmi më i bukur i këtij sezoni.

“Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurtë në rrugën drejt majës së “SHQIPËRISË2030” nuk zhbëhet dot nga askush”, tha ai.

Të dhënat tregojnë edhe vendet me numrin më të madh të vizitorëve, ku kryesojnë Kosova, Maqedonia, Italia, Spanja, Anglia, Franca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore