Lajme

200 vite pas vdekjes së perandorit Napoleon


Më 5 maj 1821, Napoleon Bonaparte vdiq i rrethuar nga ithtarët e tij. Në një shtëpi të rrënuar, të mykur dhe plot me minj, në ishullin britanik të Shën Helenas, do të shuhej perandori larg vendlindjes së tij.

Fjalët e tij të fundit, të shqiptuara në grahmat e fundit, rreth orës 17:59 të pasdites qenë: “La France, l’armée, tête d’armée, Joséphine …” (Franca, ushtria, kreu i ushtrisë, Joséphine). Ai ishte 51 vjeç.

Dyqind vjet më pas, shkaku i vdekjes së tij mbetet ende një mister i pazgjidhur.

Për disa, perandori i lindur në Korsikë ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe politik, për të tjerë ai ishte pak më shumë se një despot.

Në njërën anë, ai është një hero kombëtar, udhëheqja dhe trashëgimia e të cilit e vendosën Francën në hartë. Ndërsa, në anën tjetër, ai ishte autokratik dhe mbështetës në rivendosjen e skllavërisë.

Élisabeth Moreno, ministrja e Barazisë në Francë, pranoi që Napoleoni ishte “një figurë e shkëlqyer në historinë franceze”, por shtoi se ai ishte gjithashtu “një nga mizogjinistët e mëdhenj”.

Pas disfatës së tij në Waterloo, Napoleoni kishte shpresuar të dëbohej në Amerikë. Në vend të kësaj, pas 10 javësh në det në bordin e anijes “HMS Northumberland”, ai u gjend në një shkëmb vullkanik me sipërfaqe 121 kilometër katrorë, në mes të Atlantikut Jugor.

Kur në horizont pa ishullin e Shën Helenës, në tetor të 1815-s, fjalët e tij të para u raportuan të ishin: “Nuk do të jetë një vendbanim i këndshëm”.

Guvernatori i Shën Helenës, Sir Hudson Lowe, nuk ishte i impresionuar me mysafirin e tij të padëshiruar. Jo vetëm që kishte për detyrë të siguronte që “Old Boney” të mos arratisej, por ishte gjithashtu i detyruar ta furnizonte atë dhe shoqërinë e tij çdo javë me furnizime, duke përfshirë konjak dhe verë.

Për Napoleonin, Lowe ishte rojtari i tij i burgut. Dhe qëllimi i tij ishte ta irritonte kurdo që i jepej rasti. Për Lowe-n, Napoleoni qe një individ i dobët, i dhënë pas hidhërimeve dhe një dështim, i cili nuk e pranonte situatën ku ndodhej.

Shtëpia Longwood në Shën Helena, rezidenca e fundit e Napoleonit. Fotografia APNë testamentin e tij, Napoleoni kërkoi të varroset në brigjet e Senës në Paris, por Lowe këmbënguli që ai të varrosej në Luginën Sane-s në Shën Helena, e njohur më vonë si Lugina e Varrit.

Edhe pas vdekjes, Lowe ishte i palëkundur për të bërë kompromis me mysafirët e tij francezë. Gjenerali francez, Charles Tristan de Montholon, kërkoi që te varri të gdhendej vetëm fjala “Napoleon”; Lowe këmbënguli që të shtohet edhe ajo “Bonaparte”. Të dy nuk mund të binin dakord, kështu varri mbeti i pashënuar.

“Riatdhesimi” në Francë

Në tetor të 1840-ës trupi i tij u zhvarros, u riatdhesua në Francë dhe më vonë u rivarros në Les Invalides, në Paris.

Në 1854-ën, qeveria franceze bleu Luginën e Varrit dhe Shtëpinë Longwood, të cilat edhe sot qëndrojnë në zotërim të francezëve.

Kur në qytetin verior të Francës, Arras, u organizua një ekspozitë për të bindur francezët që të hidhnin një vështrim të ri te Napoleoni dhe 20 vitet e tij si njeriu më i frikshëm dhe i respektuar në Evropë, Frédéric Lacaille, kuratori, u shqetësua se ai ishte në rrezik të harrohej.

“Është më keq sesa të urresh, ai është duke u injoruar, dhe megjithatë, Bonaparte kishte një histori mahnitëse”, tha Lacaille në atë kohë.

“Shumë francezë e shohin atë si përfaqësues të një regjimi autoritar të luftës dhe harrojnë shumë gjëra që trashëguam prej tij, duke përfshirë organizimin e tij të madh administrativ”.

Kodi Napoleonik i dha jetë ligjit civil në shumë pjesë të botës, u prezantua sistemi i arsimit të lartë, ai i taksave, rrugëve dhe kanalizimeve. Madje, ai ngriti edhe Banque de France (Bankën e Francës).

Napoleoni midis Francës dhe Britanisë

Historiani britanik, Andrew Roberts, autor i biografisë “Napoleoni i Madh” në vitin 2014, ka theksuar një ngjashmëri të theksuar midis presidentit francez, Emmanuel Macron dhe Napoleonit.

Ai, asokohe shkruante se të dy janë të rinj, të lexuar dhe shumë inteligjentë që erdhën në pushtet duke mposhtur kundërshtarët e djathtë, të dy me ambicie për të reformuar Francën dhe ta vendosin atë në zemër të një Europe të unifikuar… dhe të dy me një sy nga Britania, me kërkesat e saj të vazhdueshme për tregti të lirë me kontinentin dhe acarimet e marrëdhënieve në rritje.

Historiani francez, Jean Tulard, një nga ekspertët kryesorë të vendit për Bonaparte-n, është më i dashur për britanikët: “Njerëzit në Francë thoshin që ‘Oh Albioni (Britania e Madhe) i pabesë e dënoi Napoleonin të internohej në Shën Helenën’, por në të vërtetë britanikët u treguan shumë dorëlëshuar. Pak para Waterloo-s, Kongresi i Vjenës e kishte shpallur Napoleonin të jashtëligjshëm. Në rrethana të tjera, ai do të ishte pushkatuar. Shën Helena ishte e vështirë, por nuk ishte më keqja që mund t’i ndodhte”.

Përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore