Kosova

2 vjetori i agresionit rus në Ukrainë, Kurti: Rezultoi me mbi 6 milionë refugjatë, e mijëra vdekje


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka mbështetur Ukrainën në dyvjetorin e agresionit rus.

“Kanë kaluar 2 vjet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili ka rezultuar në mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë vendit, mijëra vdekje civile dhe shkatërrim të shtëpive, jetëve dhe mjeteve të jetesës”.

Sipas Kurtit kërcënimi i një shteti autoritar, siç është Rusia, për sigurinë evropiane nuk mund të ishte më i keq se kaq.

“Përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin”.

Ushtarët ukrainas, sipas Kurtit, po vazhdojnë luftën e guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë.

“I përshëndesim dhe premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka shprehur mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës.

Sipas saj Kosova e di shumë mirë “se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë”.

“Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por, liria fitoi. Dhe do të mbizotërojë përsëri!”, ka shkruar ajo.

Kanë kaluar dy vite që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Konflikti që në fillimet e tij nuk shkoi sipas planit që Putin kishte në mendje. Përkundrazi Kremlini pësoi humbje të mëdha pa qenë në gjendje të mposhtte ukrainasit.

Ideja fillestare e Moskës ishte të kryente një ndërhyrje ushtarake të shkurtër duke i dhënë një goditje ushtrisë së Kievit, gjë që do të demoralizonte vullnetin e saj për të rezistuar.

Ishte pothuajse e sigurt që amerikanët shumë shpejt do të fillonin dërgesat e armëve, por Putin nuk e kishte menduar që Perëndimi do të ishte bashkuar i gjithi kompakt në mbështetje të plotë të Ukrainës dhe se kjo mund të kishte shkaktuar një konflikt të zgjatur.

Ndërsa Rusia ishte përballë një lufte agresioni, Ukraina ishte në mbrojtje të vendit ndaj dhe morali i saj në vitin e parë qe tejet i lartë. Misioni ishte mbrojtja e territorit dhe shtyrja e rusëve përtej kufijve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore