Sport

PSG, favori që po i bëhet nga “shefat” e futbollit


Shumëkush mund të pyesë se pse Paris Saint-Germain po arrin transferimin e kaq shumë lojtarëve me paga të mëdha mbi supe.

Ramos, Hakimi, Wijnaldum, Donnarumma, tani, shumë afër edhe Lionel Messi-t.

Kjo vjen si plus i lojtarëve që ka PSG, siç janë: Neymar, Mbappe, Veratti, Di Maria e shumë të tjerë.

Po t’i bësh bashkë, vlera e këtyre lojtarëve kalon buxhetin total të mbi 99% të klubeve evropiane të futbollit.

Me rregullin e fair-play financiar, kjo sigurisht do të ishte e pamundur, por për PSG-në nuk është.

Çfarë është fair-play financiar?

Fair-play financiar (FFP) është një rregull i vënë nga UEFA, që ndalon shpenzimin e klubeve në shuma më të mëdha se ajo që ato përfitojnë.

Pra, pa marrë parasysh pasurinë që një pronar ose grup pronarësh të një klubi e gëzojnë, është e pamundur të shpenzosh më shumë se të ardhurat vjetore që gjeneron klubi.

Këtu nuk përfshihen vetëm shifrat e transferimeve, por edhe pagesat që u bëjnë klubet futbollistëve të tyre.

PSG e kalon limitin e pagave me një shifër të përqindjes së frikshme.

Pse nuk po vepron fair-play mbi PSG-në?

Gazeta spanjolle, “Cadena Ser”, ka zbuluar një fakt që mund të ndryshojë gjithë botën e futbollit.

Komiteti në krye të FFP-së, ka vendosur që asnjë sanksion ekonomik të mos merret për PSG-në, të paktën deri në vitin 2023.

Kjo vjen për dy arsye:

E para është fakti që Katari do të organizojë Kupën e Botës në vitin 2022, dhe liderët e PSG-së janë ngushtë të lidhur me FIFA-n e organizatorët e Kupës së Botës.

E dyta është ndihma e madhe që PSG i dhuroi UEFA-s dhe FIFA-s në prill, kur Superliga ishte shumë afër formimit.

Aktualisht, Paris Saint-Germain është skuadra e “vetme” në botë që ka të mundësi të bëjë transferime pa limit dhe të mos shqetësohet për përmbushjen e kërkesave të futbollistëve.

Në një ambient shumë të komplikuar të transferimeve, yjet më të mëdhenj po mblidhen së bashku që të luajnë në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore