Kosova

140 raste me virusin britanik në Kosovë


140 persona janë infektuar në Kosovë me variantin e virusit të ri britanik.

Madje shumë nga ta janë të shtirë në Klinikën Infektive, por që në këtë klinikë ende nuk i kanë identifikuar, pasi nuk i kanë marrë të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Kështu tha në një prononcim për Albanian Post, infektologu Sali Ahmeti.

“Ne nuk i kemi emrat e atyre që kanë rezultuar pozitiv me variantin britanik”, tha Ahmeti.

“Testimet e fundit që i ka bërë instituti prej 145 mostrave 97 për qind kanë rezultuar pozitiv me variantin britanik. Ne që shumë kohë kemi paralajmëruar që ne kemi manifestime klinikë që shkojnë ne favor të virusit të variantit britanik”, shtoi ai.

Ai vuri në pah se ky virus është shumë më i rrezikshëm se virusi COVID-19.

“Format e sëmundjes janë më të rënda, ndërlikimet më të mëdha dhe rrezikshmëria për vdekje është më e madhe. Përhapja është shumë më e madhe”, ka shtuar ai.

Po ashtu infektologu potencoi se varianti britanik përhapet shumë më shpejtë se COVID-19.

“Dallimi mes tyre është se përhapet shumë ma lehtë në mesin e personave të kontaktit, qoftë ai kontakt familjar apo personat e kontaktit në punë apo rrugë, kudo qofshin’.

“Jep forma më të rënda të sëmundjes, dhimbjet janë shumë më të mëdha se virusi COVID-19”, përfundoi Ahmeti.

Varianti më i rrezikshëm i Coronavirusit, ai britanik, në Kosovë ka arritur të jetë prezentë në mbi 95 për qind të rasteve të reja të identifikuara në vend.

Kjo thuhet të ketë qenë edhe një ndër arsyet kryesore pse vendi është futur në izolim për 12 ditë.

Në një konferencë për medie të mërkurën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje që të respektohen masat e reja sepse kështu ndihmojnë vendin në kompletim të procesit të vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore