Shqipëria

121 afganët e parë, në Shqipëri


Avioni i parë me 121 refugjatë afganë është ulur zyrtarisht në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të 27 gushtit.

Mes tyre janë 11 foshnja dhe po procedohet me përpunimin e të dhënave individuale.

Ata janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka mbërritur më herët për t’i pritur ata në pistën e repartit ushtarak në Rinas.

Në ambientet e aeroportit ka mbërritur edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Fillimisht, refugjatët do të qëndrojnë për disa orë në tendat e improvizuara për pritjen e tyre. Më pas, me disa autobusë të vendosur në gatishmëri për rastin, do të transportohen drejt Durrësit.

Burime të Albanian Post kanë bërë me dije më herët se ata do të streohen në një prej hoteleve të bregdetit të Kavajës, në plazhin e Golemit.

Një prej autobusëve të vendosur në gatishmëri për transportin e afganëve mbërrin në Rinas

Në çadrat ku do të priten fillimisht afganët kanë mbërritur edhe personel nga Instituti i Shëndetit Publik. Më parë është bërë me dije se testet ndaj COVID-19 do të kryhen, për të parë nëse ndonjë nga refugjatët është infektuar.

Kjo do të mundësojë edhe izolimin e këtyre individëve për të mos përhapur më tej virusin.

Refugjatët me pikënisje Kabulin, kanë kryer udhëtimin drejt Shqipërisë me avionin Almastria, të kompanisë Universal Airlines.

Mes tyre janë 11 foshnja dhe po precohet me përpunimin e të dhënave individuale.

Autobusi i parë me refugjatët ndërkaq është nisur drejt strukturave hoteliere të përgatitura për ta.

Ardhje e tyre vjen në një çast shumë të tensionuar në kryeqytetin afgan. Gjashtë sulme vetëvrasëse me bomba janë regjistruar aty në pak orë. Numri i viktimave ka shkuar rreth 90, prej të cilëve 13 amerikanë.

Grupi i parë, pas kontrolleve mjekësore, ka mbërritur në strukturën hoteliere ku do të vendosen. Në pamjet e siguruara nga Albanian Post, duket qartësisht se një pjesë e madhe e tyre janë fëmijë dhe gra.

Shpirti i vërtetë i shqiptarëve

“Ndihem krenare dhe e emocionuar që edhe një herë, treguam atë që është shpirti i vërtetë i shqiptarëve”.

Ka qenë ky reagimi i parë i minsitres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, menjëherë pas mbërritjes së 121 afganëve të parë në Shqipëri nga Kabuli.

Sipas ministres, java e fundit ka qenë e përbërë nga ditë shumë intensive pune.

“Kanë qenë ditë shumë të vështira pune, për fatin e afganëve që presim sot”.

Ajo shtjelloi më tej se sulmet e fundit në Kabul, ku mbi 80 persona mbetën të vrarë, janë tregues dhe shembull i arsyeve se pse Shqipëria kërkoi të merrte këto hapa.

“Jemi përballur me pengesa të reja, si pajo e situatës”, vijoi ajo. “Por, jam e lehtësuar që avioni i parë arriti të ulej”.

Në tërësi do të jenë rreth 4 mijë syresh, të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri. Ministrja e ka theksuar edhe një herë këtë detaj, ndërsa ka shpjeguar detaje mbi strehimin e tyre.

Fillimisht, këta 121 afganë do të strehohen në një strukturë të përgatitur hoteliere në Durrës.

Pjesa e mbetur që do të vijnë, përkohësisht do të strehohen në Qytetin Studenti. Kjo, deri në lirimin e strukturave hoteliere, të cilat janë të ngarkuara me fluks pushuesish për shkak të sezonit turistik.

Masat janë marrë të gjitha për garantimin e një strehimi dinjitoz të refugjatëve.

“Këta afganë, të cilët janë pedagogë, artistë, intelektualë, ishin për 20 vjet aleatët tanë në NATO. Ata besuan tek një Afganistan modern dhe luftuan për të”, përshkroi ajo më tej ardhjen e tyre.

Për këtë arsye, Xhaçka e cilëson çdo refugjat të ardhur, si një jetë e shpëtuar nga regjimi i ri taleban në Afganistan.

E pranishme në pritjen e afganëve ka qenë edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtesa e dikurshme

Një mesazh për mbërritjen e afganëve të parë ka zgjedhur ta tejçojë edhe kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në faqen e tij të Facebook-ut.

Ai e nënvizon këtë si një episod mikpritjeje shqiptare, që na kujton se kush jemi.

“Na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë”, shkruan Rama.

Ai ka ritheksuar se janë 121 fëmijë, gra e burra nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpitë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën.

Kryeminsitri, i ka uruar mirëseardhjen atyre, duke cituar se tashmë, ata ndodhen “në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Krenarë që kemi Shqipërinë aleate e mike

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, ka falënderuar sërish shqiptarët për mikpritjen e 121 afganëve të parë të mbërritur në Rinas në orët e para të mëngjesit, duke thënë se “Amerika është krenare që ka një mike dhe aleate si Shqipëria”.

Ambasadorja ka nënvizuar mikpritjen e shqiptarëve, në ditët më të vështira të popujve të tjerë.

“Ashtu si kanë bërë gjithmonë, shqiptarët po u japin mikpritje dhe mbrojtje, atyre të cilëve kanë nevojën më të madhe në këtë çast”.

Kim ka qenë e pranishme në uljen e avionit të parë me refugjatë në Rinas. Ajo shoqëroi ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ajo, ishte e para që u dha afganëve mirëseardhjen në tokën shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore