Kosova

12 të vdekur në vendin e punës për gjashtë muaj, rekord i zi që nga paslufta –një jetë “kompensohet” me 2 mijë euro


Foto: Albanian Post.

Në gjashtë muajt e fundit në Kosovë kanë vdekur 12 persona në vendin e punës, një rekord i zi ky qysh nga paslufta në Kosovë.

Vdekjet, që kanë ardhur për shkak të dështimit të kompanive të ndërtimit që të sigurojnë masat e duhura mbrojtëse për punëtorët, dënohen nga shteti me shifra qesharake.

Kompanitë ku punëtorët humbin jetën dënohen më së shumti deri 2 mijë euro.

Siguri më shumë nga punëdhënësit e reagim më të madh nga shteti kërkon tash e dy dekada Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPPSPK), por kot.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, duke folur për Albanian Post shprehet krejtësisht shpresëhumbur.

Askush, asnjëherë, nuk jep përgjegjësi për vdekjet e këtyre personave, thotë.

“Që nga periudha e pasluftës nuk ka ndodhur asnjëherë që të ketë raste kaq shumë të vdekjeve në vendin e punës. Jam duke menduar që Kosova tashmë është e humbur sepse dikush është dashur të jap përgjegjësi për këto raste, për këtë gjendje që jemi aktualisht, por askush nuk e bën”.

Foto: Albanian Post.

 

Aksioni i PSD.

Në Kosovë siguria në punë rregullohet me dy ligje

Në aspektin legjislativ në Kosovë sigurinë në punë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për Siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë.

Gjithashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5 mijë euro deri në 35 mijë euro.

Në raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit, vitin e kaluar kanë ndodhur 30 aksidente. Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, në përgjithësi, inspektorati ka shqiptuar masën e gjobës ndaj 115 punëdhënësve, prej tyre 45 gjoba vetëm në sektorin e ndërtimit.

Kompanitë në Kosovë, ato që merren me ndërtimtari e sektorë të tjerë të rrezikshëm, nuk u sigurojnë kushte punëtorëve, sepse e dinë që ka mungesë të inspektorëve dhe shfrytëzojnë rastin.

Por, edhe kur ndonjëherë inspektorët e pakët dënojnë ndonjë kompani, dënimi është jashtëzakonisht i vogël. Aq sa s’i bezdisë bizneset e papërgjegjshme që vazhdojnë prapë në mosplotësim kushtesh.

Aq të vogla janë dënimet, saqë edhe kur ndodhin vdekje, si këto 12 në gjashtë muajt e fundit, dhe hetimet nxjerrin kompaninë fajtore, dënimi shkon vetëm deri në 2 mijë euro.

Kjo vetëm për shkak se ndodhi vdekje në punë dhe kaq.

“Kemi dënime ndaj kompanive të mëdha kur punëtorët kanë humbur jetën dhe inspektorati i punës e ka dënuar me vetëm 2 mijë euro”, thotë Azemi, i cili fajëson kompanitë private, shtetin, e edhe punëtorët që nuk kërkojnë të drejtat e tyre, prandaj vinë deri tek rastet e tilla që përfundojnë me fatalitetit.

“Në rend të parë fajtorë për këto raste janë kompanitë private, pastaj shteti që nuk detyron kompanitë të ofrojnë siguri në punë”, por, shton Azemi “një pjesë të vogël të fajit e kanë edhe punëtorët pasi që në momentin kur ne kërkojmë që ata të mos rrezikojnë jetën e tyre, kur ngritën temperaturat, ata përsëri rrezikojnë shëndetin e tyre pavarësisht thirrjeve tona”.

Nëse nuk po bëjnë gjë për të parandaluar vdekjen, Azemi thotë që shteti së paku do të duhej të bënte diçka që të ndihmoheshin familjet pas rasteve të tilla tragjike.

Ata duan nga qeveria të paktën një pako të buxhetit që do të mbështeste familjarët e viktimave që humbin jetën në vendin e punës.

“Kërkesë e jona ka qenë që për ato familje që humbin më të dashurit e tyre në vendin e punës e bashkë me të burimin e mbijetesës familjare të paktën shteti t’ua mundësojë një pako ndihme, ashtu siç duhet. Në shumë raste familjet e tyre nuk kanë kushte të mira”.

“Prandaj, kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndaj një pako, që vetë do ta menaxhonte, por as kjo nuk është bërë”.

“Ne e dimë që këto raste ndodhin në të gjithë botën, por jo në një shifër të tillë, arsyeja pse kemi kërkuar që Qeveria të ndaj mjete buxhetore ndaj familjeve është sepse në raste shumë të shpeshta familjet e kanë pasur problem edhe që të sigurojnë mjetet për varrimin e tyre”.

Numri rekord i vdekjeve këta 6 muaj megjithatë nuk është dallim i madh me vitet paraprake.

Një vit më parë, deri në muajin gusht,  shifrat e vdekjeve në vendin e punës ishin po ahtu alarmante – 10 persona kishin humbur jetën.

Pse po ndodhin rastet me fatalitet në vendet e punës?

Për ekspertin e pjesës se sigurisë në hapësira të punës, Armend Halimi, rastet me fatalitet të punëtorëve në Kosovë, “janë pasqyrim i një potenciali të madh viktimash”, veçanërisht në industrinë e ndërtimit dhe prodhimit.

Halimi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post sqaron se në legjislacionit që janë të përgatitura për sigurinë e punëtorëve nuk ka mungesa, por në zbatimin e tyre ka.

“Sigurisht, që për të minimizuar apo parandaluar një gjë të tillë, sikurse me gjithë legjislacionin e fushave tjera, edhe në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë Kosova nuk ka mangësi e as vërejtje”, thotë ai për AP.

Por, sipas tij, moszbatimi po ndodh edhe për një sërë arsyesh.

“Fillimisht për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të inspektorëve të punës të cilët do të arrinin të mbulonin çdo industri pune me inspektim permanentet nëse ato përmbushin obligimet ligjore në krijimin e kushteve minimale për punë të sigurt”.

“Pastaj, edhe toleranca ndoshta ndaj atyre që shkelin ligjin, por edhe mungesa e fushatave sensibilizuese rreth këtyre obligimeve që kanë punëdhënësit”.

Partia Socialdemokrate (PSD), përmes një aksioni të mbajtur të premten para Qeverisë së Kosovës ka kërkuar llogari për vdekjen e 12 punëtorëve të ndërtimtarisë në vendet e punës brenda gjashtë muajsh.

Anëtarët e PSD-së në tokë kanë vendosur disa helmeta, e dorëza duke simbolizuar kështu punëtorët e vdekur të Kosovës.

Rreziqet në sektorin e ndërtimtarisë që kushtojnë me jetë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore