Kosova

12 minatorë lëndohen në Minierën e Trepçës


Foto nga arkivi.

12 minatorë janë lënduar në minierën e Trepçës, të mërkurën e 17 janarit.

Lajmin për Albanian Post e kanë konfirmuar nga Sindikata e Trepçës, të cilët kanë deklaruar se të njëjtit janë lënduar nga acidi.

“Dhjetë persona janë lënduar prej acidit, i cili përdoret për pastrimin e gypave të pompave, duke e lëshuar ka shpërthyer dhe iu ka shkaktuar një lloj ngufatjeje”, është thënë nga sindikata për AP.

Nga sindikata është pohuar se lëndimet janë marrë në sy.

Edhe “Trepça”, ka reaguar duke thënë se tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda.

“Ekipet shpëtuese të minierës në krye me Udhëheqësin e Njësisë Biznesore z. Bahri Karaqa kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A., U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes Trepça Sh.A., Udhëheqësi i Njësisë Biznesore Minierat e Stantërgut me Flotacion Tunel i Parë, shprehin keqardhje për aksidentin e ndodhur në minierë si dhe urojnë shërim të shpejt dhe të plotë për punëtorët e lënduar të minierës”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, është thënë se ata janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, kanë njoftuar se gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Dy prej tyre kanë pasur lëndime serioze të syve (djegëje kimike me acid sulfurik), të cilët pas trajtimit në repartin e Emergjencës janë transferuar ne repartin e Oftalmologjisë së Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm”.

Gjatë së mërkurës, minatorët e lënduar i ka vizituar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore