Euro 2020

Historiku i Evropianëve, EURO 1972


I katërti Evropian dhe i pari pas viteve ’60. EURO e parë e viteve ’70 do të mbahej në vitin e dytë të kësaj dekade.

Albanian Post vazhdon historinë e këtij kompeticioni, i cili ka shënjuar historinë e sportit më të bukur në botë.

Ky vit shihte formatin e njëjtë të kualifikimit, ashtu sikurse 1968-ta, dhe për herë të parë formati i kualifikimi mbetej i pandryshuar.

Por, kishte një ndryshim të vetëm. Cili ishte ai?

Nga 31 shtete më parë, tani 32 shtete garonin për katër vende që Evropiani siguronte.

Këto 32 skuadra, ndaheshin në tetë grupe me nga katër skuadra.

Nga këto tetë grupe, fituesit përballeshin në fazën çerekfinale.

Kjo fazë vendoste edhe skuadrat pjesëmarrëse.

Faza e grupeve, kush i fitoi ato?

Grupi 1: Rumania doli fituese pa ndonjë problem. Ata eliminuan Çekosllovakinë, Uellsin dhe Finlandën.

Grupi 2: Hungaria shkaktoi befasinë në grupin me Francën, duke arritur kualifikimin para tyre, Bullgarisë dhe Norvegjisë.

Grupi 3: Pa ndonjë problem, Anglia doli fituese në grupin përballë Zvicrës, Greqisë dhe Maltës.

Grupi 4: Bashkimi Sovjetik ia ktheu borxhin Spanjës për finalen e 1964-ës, duke e eliminuar nga grupet, bashkë me iberikët, grupin dështuan ta kalojnë edhe Irlanda e Veriut dhe Qipro.

Grupi 5: Belgjika, që do të organizonte Evropianin, eliminoi Portugalinë, Skocinë dhe Danimarkën.

Grupi 6: Kampionët në fuqi, Italia, me shumë lehtësi fituan grupin ku bënin pjesë Suedia, Austria dhe Irlanda.

Grupi 7: Jugosllavia arriti kualifikimin vetëm falë barazimit të Holandës dhe Gjermanisë Lindorë ndeshjen e fundit. Luksemburgu kishte rolin e spektatorëve në këtë grup.

Grupi 8: Në grupin ku bënte pjesë Shqipëria, Gjermania Perëndimore doli fituese, me Poloninë dhe Turqinë që ishin skuadrat tjera të grupit.

Faza çerekfinale

Ndeshjet e kësaj faze ishin:

Itali – Belgjikë

Ndeshja e parë përfundoi 0-0, me kampionet në fuqi që u mundën 2-1 në Belgjikë duke e bërë të pamundur kështu rimarrjen e trofeut.

Hungari – Rumani

Kjo ishte ndeshja e vetme që kishte nevojë për ndeshje të tretë.

Pasi dy ndeshjet e para përfunduan në barazim 1-1 dhe 2-2, ndeshja e tretë përfundoi me rezultat 2-1 në favor të hungarezëve.

Angli – Gjermani Perëndimore

Fitorja në ndeshjen e parë në “Wembley” me rezultat 3-1 ishte e mjaftueshme për gjermanët.

Ndeshja e dytë përfundoi me rezultat 0-0.

Jugosllavi – Bashkimi Sovjetik

Ripërsëritja e finales së vitit 1960 priti ndeshjen e dytë për të vendosur gjithçka.

Me ndeshjen e parë që përfundoi 0-0, Bashkimi Sovjetik arriti fitore 3-0 në ndeshjen e dytë për t’iu drejtuar Evropianit të katërt nga katër në total.

EURO 1972

Belgjika, në pjesëmarrjen e saj të parë në EURO, arriti të sigurojë edhe organizimin e tij.

Kjo erdhi pasi Anglia dhe Italia, dy kanditaturat e tjera, nuk arritën kualifikim përtej fazës çerekfinale.

Pra, skuadrat e EURO 1972, ishin: Bashkimi Sovjetik, Hungaria, që kishin marrë pjesë më parë, dhe Belgjika, Gjermania Perëndimorë, që ishin debutuese.

Ndeshjet zhvilloheshin në tre qytete: Bruksel, Antwerp dhe Liege.

Ndryshe nga Evropiani i kaluar, koha shtesë dhe penalltitë vendosnin fituesin, nëse ndeshjet përfundonin në barazim.

Faza gjysmëfinale luhej më 14 gusht, ndeshja për vendin e tretë më 17 gusht dhe finalja luhej më 18 gusht.

Gjysmëfinalet

Hungaria – Bashkimi Sovjetik

Kampionët e vitit 1960 dolën fitues, me anë të një fitoreje minimale.

Konkov në minutën e tetë të pjesës së dytë, shënoi golin, i cili ishte i mjaftueshëm për të arritur finalen.

Belgjika – Gjermania Perëndimore

Kjo ndeshje do të thoshte që 1972-ta do të shihte një debutuese në finale.

Legjenda gjermane e futbollit, Gerd Muller, ishte shumë i fortë për mbrojtjen vendase.

Ai hapi ndeshjen me golin e tij në minutën e 24-t.

Në momentin kur Belgjika po i afrohej shumë golit, Muller u ngjit në skenë përsëri.

Në minutën e 71-të, ai shënoi të dytin personal dhe për Gjermaninë.

Goli i Polleunis në minutën e 83-të, nuk ishte i mjaftueshëm për vendasit.

Ndeshja për vendin e tretë

Dy gola në hapësirën e katër minutave u japin një epërsi të dyfishtë vendasve.

Lambert shënoi në të 24-ën dhe Van Himst në të 28-ën.

Goli i Lajos Ku nga penalltia në minutën e 53-të, nuk ndryshoi asgjë.

Belgjika në Evropianin vendas, siguroi vendin e tretë.

Finalja e madhe

Gerd Muller ishte thjesht i papërmbajtshëm.

Formën e mirë të kualifikimeve, ai e vazhdoi në gjysmëfinale dhe finale.

Shtatë golat e kualifikueseve nuk ishin punë fati, por punë talenti e një lojtari që sot e kësaj dite mbetet ndër më të mirët e të gjitha kohërave.

Njëjtë ishte edhe në finale, ajo u vendos tërësisht nga Muller.

Forma e tij i bëri sovjetët të dukeshin si vizitorë në fushë.

Muller fillimisht shënoi në të 27-ën për epërsinë e parë.

Pjesa e parë u mbyll me atë rezultat, me Gjermaninë Perëndimorë që zgjodhi çdo dilemë në 15 minutat e para të pjesës së dytë.

Fillimisht Wimmer, në të 52-ën dhe pastaj Muller përsëri, në të 58-ën, vendosën rezultatin përfundimtar, 3-0.

Bashkimi Sovjetik humbi finalen e dytë, pas asaj të 1964-ës përballë Spanjë.

Ndrëkohë, Gjermania fitoi EURO-n e parë, duke u bërë fituesja e katërt në po kaq Evropiane.

Ndryshe nga herat tjera, magjia individuale vendosi gjithçka në EURO 1972.

Një Gerd Muller që shënoi 4 gola në dy ndeshje, ishte i papërballueshëm për kundërshtarët.

Ai u konfirmua si lojtari më i mirë në botë i kohës, dhe Gjermania u konfirmua si shteti më i fortë Evropian në futboll.

Një dyshe e ëndrrave, që ëndrrat i ktheu në realitet. Ky ishte fillimi i një kombëtareje që do të mbetej ndër më të mirat, për shumë, shumë kohë.

Së shpejti, EURO 1976…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore