Shqipëria

11 persona kanë humbur jetën nga Ethet e Nilit në Shqipëri, 79 janë infektuar


Numri i viktimave nga “Ethet e Nilit” në Shqipëri ka shkuar në 11 persona, teksa në total 79, janë të infektuarit, kur situata sipas Institutit të Shëndetit Publik, është gjithsesi nën kontroll.

Drejtuesja e ISHP-së, Eugena Tomini, ka qenë ajo e cila ka treguar se harta e infektimeve përfshin disa qytete, gjatë një interviste për Radio Televizionin Shqiptar.

“Ky sezon e bën edhe fluksin më të ulët, ndërkohë edhe shfaqja e rasteve ka qenë më e pakët. Theksoj që kemi një prekje prej 79 rasteve dhe ndërkohë kemi pasur rreth 40 raste të dyshuara. Edhe humbjet e jetës kanë qenë prezent, kryesisht grupmosha e prekur është mbi 60 vjeç”, tha Tomini.

Procesi i dezinfektimit vijon të kryhet në zonat e identifikuara nga bashkitë si problematike por për sa kohë kemi në qarkullim mushkonjën “Culex pipiens” dhe këto temperature mund të kemi infektime të tjera.

“Në zona sikurse Lushnjë, Fieri, Berati, Elbasani Tirana, Lezha, Kurbini kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë me rekomandimet e ISHP-së për të minimizuar habitatet në të cilat zhvillohen këto mushkonja. Strukturat mjekësore janë në alert duke vlerësuar çdo rast me shenjat e para e më pas për t’u menaxhuar”, tha Tomini.

Sipas ISHP situata vijon të monitorohet në mënyrë dinamike në të gjitha nivelet. Ata theksojnë se nuk ka vend për panik pasi 80% e të prekurve e kalojnë pa simptoma, 19 për qind me simptoma të lehta dhe vetëm 1 për qind bëjnë komplikacione të rënda, kryesisht moshat mbi 65 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore