Lajme

10 vjet partneritet mes Kosovës dhe Iowa-s në fushën e sigurisë


10 vjet partneritet mes Kosovës dhe Iowa-s

Me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të Programit për Partneritet Shtetëror mes Kosovës dhe Iowa-s së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në sektorin e mbrojtjes, në Iowa është pritur një delegacion i Kosovës i përbërë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe përfaqësues diplomatik të Kosovës në SHBA dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Delegacioni kosovarë gjatë ditës së shtunë është pritur në takim nga komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell ku kanë diskutuar një strategji bashkëpunimi mes të dyja vendeve për një periudhë afatmesme, përmes projekteve të ndryshme në fushën e sigurisë.

Delegacioni mori pjesë edhe në një pritje që u mbajt me pjesëtarë të komunitetit të Iowa-s si dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ku patën rastin të zhvillojnë diskutime lidhur me bashkëpunimin mes të dyja vendeve e posaçërisht arritjet e Kosovës në fushën ushtarake.

Ndërsa Garda Kombëtare  e Iowa-s në faqen e saj në Facebook ka publikuar disa foto ku thuhet se ”Miqësia #10 me Republikën e Kosovës është më e fortë se kurrë”.

Tutje thuhet se gjeneralmajor Ben Corell, gjeneral adjutant për Gardën Kombëtare të Iowa-s është shprehur se “Dinamika e kësaj bote po ndryshon gjithnjë; kjo vetëm i bën partneritetet si tonat më të rëndësishme tani, se kurrë”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore