Shqipëria

1.2 milionë paundë i harxhoi Britania vetëm për përkthimin e ‘kriminelëve’ shqiptarë


Një shumë prej 1.2 milionë paundësh është harxhuar nga shteti britanik vetëm për përkthimin e shqiptarëve, të cilët kanë qenë të dyshuar për ngjarje kriminale në ishull.

Kështu shkruan tabloidi britanik “The Sun”, i cili shpalos shifra në rritje të këtij fenomeni, ku ato janë dyfishuar që prej vitit 2017, kur shuma e shpenzuar ishte në 507 mijë paundë.

Numri i personave të burgosur, po ashtu, shfaqet i dyfishuar, me një nga 726 në vitin 2017 në 1 mijë e 500 në vitin 2022.

Sipas “The Sun”, bandat shqiptare janë ato, të cilat kontrollojnë tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe apo edhe deri trafikimin e qenieve njerëzore.

Sipas disa publikimeve nga mediat britanike, por edhe nga vetë Qeveria, numri i shqiptarëve, të cilët kanë kaluar ngushticën e Le Mans mes Francës dhe Anglisë, është rritur eksponencialisht vitet e fundit dhe 60% e të gjithë emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët zgjedhin këtë rrugë, janë shqiptarë.

Madje, akuza nuk kursehen edhe ndaj bandave specifike, të cilat merren me muzikë dhe përfliten nga “The Sun” si persona me rekorde kriminale dhe banda që kontrollojnë krimin në Londrën lindore.

Prej tyre, përmendet edhe grupimi i njohur si “Hellbenianz”, ku thuhet se kanë publike video, të cilat tregojnë makina luksi apo male të tëra me para, duke supozuar se ato kanë ardhur  nga krimi i organizuar.

Në tërësi, mbi 21 milionë paundë u shpenzuan nga Qeveria britanike për përkthyesit në procese gjykuese, ku pjesa më e madhe ka shkuar për polakët, me 3.2 milionë paundë.

Rumunët, pasojnë me 2.7 milionë, më pas shqiptarët me 1.2 milionë, lituanezët me 805 mijë dhe rusët me 594 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore