Sport

Zyrtari i VAR-it hiqet nga roli në Champions League pas polemikave në PSG – Newcastle


Featured Image Credit: TNT Sports

Zyrtari i VAR-it, i cili vendosi t’i akordojë PSG-së një penallti të diskutueshme në minutat e fundit gjatë barazimit 1-1 të së martës kundër Newcastle, është hequr nga detyra e tij për një ndeshje të Champions League sonte.

Zyrtari polak, Tomasz Kwiatkowski ishte në detyrë në “Parc des Princes” dhe vendosi të jepte goditjen nga pika e bardhë për një lojë me dorë nga mbrojtësi i Newcastle, Tino Livramento.

Kylian Mbappe u realizoi penalltinë në minutën e 98-të për të shpëtuar një pikë për skuadrën e Luis Enrique.

Rezultati mund të ketë pasoja të mëdha për grupin e tyre në Champions League, me PSG-në që mban pozitën e dytë, dy pikë përpara Newcastle, me një ndeshje të mbetur në grup.

Penalltia nuk u dha nga gjyqtari Szymon Marciniak, i cili drejtoi finalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës, por e ndryshoi vendimin pasi Kwiatkowski e ftoi atë të shihte incidentin në ekranin e VAR.

Kwiatkowski do të ishte në detyrën e VAR për përballjen e sonte mes Real Sociedad dhe RB Salzburg. Por ai tani është hequr nga roli, sipas raportimeve.

Identiteti i zëvendësuesit të zyrtarit polak ende nuk është zbuluar. 45-vjeçari drejton rregullisht në ligën e lartë polake dhe ka përvojë në garat evropiane.

Trajneri i Newcastle, Eddie Howe ishte kritik ndaj vendimit të marrë nga VAR, duke thënë: “Mendoj se është një vendim i dobët dhe është jashtëzakonisht zhgënjyes për ne, pasi e dini se sa pak kohë ka mbetur në lojë. Nuk mund të bëjmë asgjë në lidhje me të tani”.

“Magpies” tani duhet të mposhtin Milan-in në “St James’ Park” në javën e fundit të ndeshjes së fazës së grupeve të Champions League dhe shpresojnë që PSG të mos fitojë me Borussia Dortmund-in, për të siguruar një vend në 16-shen e fundit të kompeticionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore