Kosova

Zyrtarët e VV-së s’ngritën në këmbë në Gjykatë, deklarohen të pafajshëm për akuzën për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”


Dy zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe sekretari i VV-së, Egzon Azemi njëherësh edhe këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë të mërkurën kanë dalur para gjykatës për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, të cilët kanë refuzuar të ngritën në këmbë kur u kërkua nga gjyqtari.

Me ta në seancë ishin edhe dy të akuzuar të tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët po akuzohen për “kanosje”.

Të katërtit u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën që rëndon në ta nga Prokuroria Speciale.

I akuzuari, Egzon Azemi, tha se konsideron se kjo aktakuzë është bërë në mënyrë të padrejtë.

“Siç e kam thënë edhe në seancën e parë e cila nuk pati mundësi të vazhdoj, edhe prokurorja vetë në atë takim e ka pranuar realisht që kjo akuzë është një fabrikim i panevojshëm, e që qëllimet as unë nuk po i kuptoj”, ka thënë zyrtari i VV-së.

Të njëjtit po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja leshu që mos me i mbet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehurti Zenalaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyllë e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiç, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Manxhuka dhe Azemi, kishin kritikuar Gjykatën për lirimin e Pantiç-it.

Më 28 dhjetor të 2022, zëdhënësi për media në Lëvizje Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar për ndërrimin e masës së paraburgimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiç në arrest shtëpiak duke thënë se “ky aktlirim është akt tradhtie”.

Më 20 tetor, ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohej për sulme terroriste, në zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte liruar edhe nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore