Zyrtare/ Tetë vende pritëse të Euro 2020 konfirmojnë ndeshjet me tifozë

SHFLETO
Romario Ismailaj
09.04.2021 20:30
Loading Icons...

UEFA ka publikuar lajmin se tetë vende pritëse të Euro 2020, që do të zhvillohet këtë verë, do të mirëpresin tifozë në shkallët e stadiumeve.  Ndërsa, katër vendet e mbetura, do të marrin vendimin përfundimtar deri më 19 prill.

UEFA, së bashku me vendet pritëse hartuan një strategji hapëse të stadiumeve në masën nga 25% deri në 100% dhe pas konsultimeve me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO), tetë vende pranuan hapjen e stadiumeve.

Shën Petersburgu ka konfirmuar tashmë se stadiumi i tyre do të hapet në masën e 50% të kapacitetit. Budapesti po synon hapjen e plotë, pra në masën 100%. Londra ka konfrimuar hapjen në kapacitet 25%.

Në Azerbajxhan, në kryeqytetin Baku është konfirmuar hapja e stadiumeve në masën 50%, me tifozët që duhet të paraqesin rezultatet e testit të Covid-19, përpara se të hyjnë në stadium.

Amsterdami, Bukureshti, Kopenhegeni dhe Gllasgou kanë konfirmuar hapjen në kapacitet midis 25-33%. Me Amsterdamin, Bukureshtin dhe Kopenhagenin që kanë lënë të hapur mundësinë e rritjes së kapaciteteve.

Katër qytetet e mbetura janë: Mynihu, Roma, Bilbao dhe Dublini, të cilat duhet të vendosin deri më 19 prill se cili do të jetë vendimi në lidhje me organizimin e ndeshjeve.