Sport

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25


Daniele de Rossi

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25.

Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan Friedkin njoftuan me një deklaratë zyrtare të enjten në mëngjes se De Rossi do të qëndrojë në klub edhe përtej verës.

“Pas takimit të djeshëm pasdite me Daniele de Rossi, ne jemi të kënaqur të njoftojmë se ai do të vazhdojë si trajner i AS Roma pas këtij sezoni dhe për një të ardhme të parashikueshme”, tha familja Friedkin në një deklaratë.

“Në mandatin e tij të shkurtër si kryetrajner, ndikimi pozitiv që lidershipi i tij ka sjellë në të gjithë klubin ka treguar historinë e vet”.

“Daniele udhëheq me respekt dhe kurajo, ndërsa forca dhe besimi i tij i rrënjosur në klub janë vërtet në përputhje me vlerat, qytetin dhe tifozët e pashembullt të Roma-s”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku sa më shumë që të jetë e mundur për të ofruar një të ardhme që tifozët e AS Roma e meritojnë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Njoftimi i Roma-s erdhi në mëngjesin e ndeshjes së dytë çerekfinale të Europa League kundër Milan-it në “Stadio Olimpico”. Verdhekuqtë mundën rivalët e tyre në Serie A 1-0 në “San Siro” javën e kaluar.

De Rossi zëvendësoi Jose Mourinho-n në janar duke nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit. Ai ka fituar 11 ndeshje nga 16 në të gjitha garat, me tre barazime dhe dy humbje gjithashtu.

Roma u rendit në vendin e nëntë në tabelën e Serie A kur ish-reprezentuesi i Italisë mori drejtimin, dhe tani është e pesta, duke luftuar për një vend në Champions League.

Verdhekuqtë kanë shënuar 35 gola në 16 ndeshje nën fituesin e Kupës së Botës të Italisë 2006, duke pësuar 16.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore