Sport

Zyrtare: PSG i thotë lamtumirë Messi-t


Lionel Messi. Photo: PSG

Divorci mes Lionel Messi-t dhe PSG-së u përmbyll përfundimisht këtë të shtunë. Pas njoftimit të mos rinovimit të Sergio Ramos, ylli argjentinas nuk do të rinovojë me skuadrën parisiene, siç konfirmohet nga PSG në një deklaratë lamtumire për Messi-n.

“PSG është krenare që ka pasur në radhët e saj futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave…”, thuhet ndër të tjera në njoftimim e klubit.

Messi zbarkoi në gusht të 2021-shit në “Parc des Princes” dhe largohet me tre tituj dhe pa arritur të afrojë ekipin francez me ëndrrën e shumëpritur për të fituar Champions League.

“Pas dy sezonesh në kryeqytetin francez, aventura e Leo Messi-t me Paris Saint-Germain do të marrë fund në fund të sezonit 2022-2023. Klubi shpreh falënderimet e tij më të ngrohta për shtatë herë fituesin e Topit të Artë, i cili gjithashtu ngriti një Trophée des Champions dhe dy tituj të Ligue 1 me klubin”, thuhej në shkrimin e PSG-së

Më 29 gusht 2021, në Reims, Ligue 1, Messi debutoi në futbollin francez. 74 ndeshje më vonë, ylli argjentinas ka lënë gjurmë në Francë dhe Evropë me talentin e tij, duke shënuar 32 gola, i pari prej të cilëve ishte kundër Manchester City-t në Champions League më 28 shtator 2021, përveç 35 asistimeve për PSG.

Pasi u kurorëzua kampion i ligës franceze në vitin e tij të parë në kryeqytet, numri “30” mori gjithashtu çmimin prestigjioz të “Topit të Artë” të “France Football” gjatë të njëjtit sezon, i shtati në një karrierë të madhe.

Fituesi i fundit të Kupës së Botës FIFA në Katar, kapiteni i Argjentinës shkëlqeu edhe te Paris Saint-Germain gjatë sezonit 2022-23. Përveç 16 golave ​​të tij në 31 ndeshje të Ligue 1, ai është asistuesi kryesor i ligës, me 16 asistime në emër të tij, vetëm pak nga rekordi i vendosur nga bashkatdhetari i tij Angel Di Maria (18).

Kundër Strasburg-ut në ndeshjen e 37-të të Ligue 1, Messi e shkroi sërish emrin e tij në librat e historisë duke shënuar golin e tij të 496-të në pesë ligat më të mira të Europës, duke vendosur kështu një tjetër rekord të pabesueshëm.

Messi i tha lamtumirë PSG-së kështu: “Faleminderit klubit, qytetit të Parisit dhe banorëve të tij për këto dy vite. I uroj atyre më të mirat për të ardhmen”.

Nasser Al Khelaifi kishte gjithashtu fjalë falënderimi: “Unë do të doja të falënderoja Leo Messi-n për dy sezonet e tij në Paris. Të shikosh shtatë herë fituesin e Topit të Artë në ‘Parc des Princes’ të fitojë herë pas here kampionatet franceze dhe të frymëzojë lojtarët tanë të rinj ka qenë një kënaqësi. Kontributi i tij te Paris Saint-Germain dhe Ligue 1 nuk mund të nënvlerësohet dhe ne i urojmë Leos dhe familjes së tij gjithë të mirat për të ardhmen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore