Sport

Zyrtare/ Duro merr drejtimin e skuadrës shqiptare


Trajneri shqiptar, Shpëtim Duro, e ka marrë drejtimin e skuadrës së Superiores, Egnatian.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nga Rrogozhina, të cilët njoftuan se kanë nënshkruar me Duron.

“Shpëtim Duro është trajneri i ri i KF Egnatia. Tekniku ka firmosur kontratën dhe ka nisur përgatitjet me ekipin për ndeshjen e radhës”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit të Superiores.

Kështu Duro do të marr vendin e Edlir Tetovës, i cili u shkarkua nga posti i trajnerit të Egnatias pas humbjes në fundjavë nga Teuta me rezultat 1:2.

Kutjojmë që klubi nga Rrogozhina ka bërë transferime të shumta në afatin kalimtar veror dhe hyri në sezonin e ri me pretendime të larta.

Egnatia do të jetë klubi i tetë i Superiores për Duron, që më parë ka drejtuar Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Flamurtarin, Kukësin dhe Laçin, ndërkohë që ka punuar edhe në Maqedoninë e Veriut te Shkëndija dhe në Kosovë te Drita.

Trajneri 62-vjeçar nga Tirana do të debutojë në stolin e skuadrës së tij të re në fundjavë përballë Kukësit në udhëtim.

Momentalisht, Egnatia renditet në vendin e shtatë me nëntë pikë të grumbulluara pas tetë javësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore