Lajme

Zyrat e KQZ-së vazhdojnë të jenë të mbyllura në Veri, kërkohet siguri


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e të enjtes ka caktuar katër ushtruesit e detyrës në pozitën e zyrtarëve të lartë komunalë të zgjedhjeve të cilët do të kryejnë detyrat në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Këtë vendim kryeshefi-ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se e kanë marrë me 22 nëntor.

“Zyrat në komunën e Zveçanit, Zubin Potok, Leposaviq janë në objektin e administratës komunale dhe në Mitrovicën e Veriut po ashtu është në ambientet e administratës komunale por nuk është direkt në zyrat tjera. Por pavarësisht kësaj zyrat akoma qëndrojnë të mbyllura dhe nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë për çështje sigurie”.

Mirëpo, këta zyrtarë nuk janë dërguar atje për të kryer veprimtarinë e tyre për shkak të sigurisë dhe se zyrat e KQZ-së vazhdojnë të jenë të mbyllura.

“Janë bërë përpjekje për shfrytëzimin e zyrave, por deri më tani nuk mund të shfrytëzohen aktualisht zyrtarët që janë caktuar si ushtrues detyre do të veprojnë nga lokacionet e tyre nga komunat përkatëse nga të cilat janë duke ushtruar funksionin e tyre”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Kemi kërkuar po ashtu edhe masa sigurie për zyrtarët nga Policia e Kosovës ku kemi pasur edhe takime të njëpasnjëshme dhe PK është në fazën e vlerësimit të rrezikshmërisë dhe nuk kemi ndonjë raport përfundimtar dhe përderisa nuk kemi konfirmim për ofrimin e sigurisë fushveprimtaria e zyrtarëve të lartë komunal akoma vazhdon të ushtrohet nga zyrat e tyre”, tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi të informohet se përse këta zyrtarë nuk janë përzgjedhur nga komunat me shumicë serbe.

“A është bërë përpjekje me i kontaktua zyrtarët e lartë komunalë nga komunat që janë me komunitetet serb, Partesh, Novobërdë, Ranilluk”, tha Kurteshi.

Ahmetaj, sqaroi se katër zyrtarët komunal janë zgjedhur nga komunat që janë më afër gjeografikisht me komunat që do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Zyrtarët komunalë u takojnë komunave të Drenasit, Skenderajt, Vushtrrisë dhe Mitrovica e Jugut.

Edhe Sami Hamiti nga LDK-ja dhe Ilir Gashi nga PDK-ja kanë kërkuar bashkërendim të të gjitha institucioneve me qëllim të ofrimit të sigurisë për stafin zgjedhor por edhe për mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

KQZ-ja në këtë mbledhje theksoi se gjithsej 14 parti politike përfshirë edhe Listën Serbe, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 9 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, dorëheqjet e tyre kishin dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore