Lajme

Zyra e Auditimit gjen parregullsi në KQZ: Shpalosje jo e saktë e llogarive


Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes raportit për vitin 2022 ka bërë të ditur se ka gjetur disa parregullsi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në këtë raport të ZKA-së është sqaruar se si të gjeturat kanë shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 29 mijë e 342 euro.

“Gjatë auditimit kemi vërejtur që llogaria e arkëtueshme e prezantuar në Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) ishte nënvlerësuar për 1,335.80. Në PVF vlera e paraqitur e llogarisë së arkëtueshme ishte 29,342, ndërsa në regjistrin e llogarive të arkëtueshme ishte 30,677.80 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Tutje ZKA-ja ka rekomanduar kryetarin e KQZ-së se duhet të sigurojë se llogaritë e arkëtueshme janë të evidentuara “saktë dhe me kohë”.

Kjo me qëllim që në kohën e përgatitjes së PVF-ve për vitin 2023 vlera e tyre të shpaloset saktë.

“Gjatë testimit të pasurisë jo financiare kapitale (mbi 1000-SIMFK) kemi vërejtur se vlera e prezantuar e këtyre pasurive në PVF ishte mbivlerësuar për 104,190€. Kjo ka rrjedhë si rezultat i një pagese për modifikimin e softuerit të QNR-së dhe K-Vote për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e cila është realizuar në vitin 2021 dhe ishte evidentuar gabimisht në regjistrin e pasurive jo financiare – kapitale”.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit

“Ky shpenzim i takonte kategorisë së mallrave dhe shërbimeve”.

Gjithashtu, te regjistri i pasurisë jo financiare – jo kapitale (sistemin e-pasuria pasurit nën 1000€), ZKA ka evidentuar një pasuri në vlerë 1,584€ në dhjetor të vitit 2022, ndërsa pranimi i pasurisë është bërë në shkurt të 2023.

“Më tej, te regjistri i pasurisë jo financiare – jo kapitale (sistemin e-pasuria pasurit nën 1000€) ishte evidentuar një pasuri me vlerë 1,584€ në dhjetor të vitit 2022, ndërsa pranimi i pasurisë është bërë në shkurt të 2023.Ndërsa, vlera e pasurisë kapitale ishte nënvlerësuar për 1,296€ pasi që një laptop i blerë me 21.07.2022 nuk ishte regjistruar në SIMFK”.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së përgjegjësisë në kryerjen e detyrave nga zyrtarët kompetent”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndërsa, sipas auditorit mos regjistrimi i pasurisë në regjistrat përkatës të pasurive jo financiare ndikon në prezantim jo të drejt të pasurive në PVF dhe pamundëson një menaxhim dhe kontroll efektiv mbi pasuritë me rrezikun që pasuritë të humbin apo keqpërdoren.

Po ashtu, ZKA-ja ka rekomanduar kryetari e KQZ-së që të forcojë kontrollet e brendshme në menaxhimin e pasurisë jo financiare kapitale dhe jo kapitale dhe të rishikoj regjistrin e pasurisë si dhe t’i bëjë korrigjimet e nevojshme për të siguruar që regjistrat e pasurisë të jenë të plotë dhe të saktë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore