Lajme

Zyberaj nis vrapimin nga Prishtina në Tiranë për 28 nëntor


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Erzen Zyberaj.

Atleti kosovar Erzen Zyberaj, do të vrapojë nga Prishtina deri në Tiranë për nder të Festës së Flamurit të 28 nëntorit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“I urova rrugëtim të mbarë atletit të pasionuar Erzen Zyberaj, i cili do të vrapojë nga Prishtina në Tiranë, duke përshkuar një distancë prej 260 km, për të nderuar Festën e Flamurit Kombëtar. Ky vrapim është një shprehje e vërtetë e dashurisë dhe respektit ndaj flamurit kombëtar”.

“Atleti ynë po bënë një udhëtim të shkëlqyer për të sjellë bashkë me vete frymën e pavarësisë dhe lavdisë që flamuri simbolizon”, ka shkruar Rama në Facebook.

Më 22 nëntor edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është shprehur se data e 28 nëntorit, shënon daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kthyer në kujtesë sakrificën si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë.

“Në historinë e re të Kosovës, ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës, e cila ndoqi edhe traditën shumë të fuqishme të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe rezistencën aktive përballë hegjemonisë shtypëse të Serbisë, por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtarë Adem Jasharit, heroit tonë legjendar”.

Osmani, në fjalimin e saj me rastin e 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ka thënë se kjo datë aq sa sjell gëzime, sjell edhe pikëllim për përpjekjet që janë bërë.

“Sikurse në çdo 28 nëntor tjetër, ne sot i sjellim në kujtesë këto sakrifica dhe u gëzohemi fort të arriturave të shtetit demokratik shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Osmani.

E para e shtetit, ka thënë se rëndësia mes Kosovës dhe Shqipërisë po zhvillohet krahas njëra-tjetrës.

Shqipëria, më 28 nëntor shënon 111 vjetorin e pavarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore