Shqipëria

Zvicra në krah të Shqipërise drejt integrimit evropian, deklaron ministri i Jashtëm Ignazio Cassis


Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis shprehu mbështetjen e Zvicrës për Shqipërinë drejt integrimit evropian.

“Zvicra mbetet e përkushtuar dhe e vendosur të qëndrojë në krah të Shqipërisë dhe të mbështesë përpjekjet drejt ndërtimit të institucioneve efektive demokratike dhe drejt integrimit evropian”, u shpreh ministri i Jashtëm zviceran.

Në kuadrin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Zvicrës, Cassis zhvilloi takime me zyrtarët e lartë në vend.

Ministri Cassis shfaqi dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme përfshirë atë të sigurisë dhe zgjidhjeve për situatën e pandemisë.

Ambasadori zviceran, Adrian Maître vuri theksin në rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve me arritjen e marrëveshjes dypalëshe në një periudhë delikate historike ku dy shtetet kishin sisteme të ndryshme politike.

“50 vite më parë, dy vendet tona firmosën marrëdhënie formale diplomatike dypalëshe. Kjo ndodhi pavarësisht ‘Perdes së Hekurt’ dhe Luftës së Ftohtë të asaj kohe, pavarësisht sistemeve të ndryshme politike. Kjo ishte një arritje e madhe”, u shpreh Maître.

Ambasada Zviceriane në Tiranë organizoi gjithashtu një ekspozitë në përvjetorin e 50 viteve të marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri, në Muzeun Historik Kombëtar.

Në shtator u organizua gjithashtu një konferencë për të festuar 50 vitet e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore