Zvicra kërkon nga Kurti që t’u garantojë serbëve shkallë adekuate të vetë-menaxhimit

Alain Berset dhe Albin Kurti

Dreni Himbeqa
22.09.2023 18:41
Loading Icons...

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkushtim për të garantuar një shkallë adekuate të vetë-menaxhimit për komunat me shumicë serbe.

Një kërkesë e tillë u parashtruar në një takim kortezie që Breset pati me Kurti, i cili të premten ka udhëtuar për në Zvicër ku përveç presidentit Berset, do të takohet edhe me politikanë shqiptarë të cilët po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 tetorit.

Në një komunikatë të lëshuar nga ana e Presidencës së Zvicrës pas takimit, thuhet se takimi i Breset-it me Kurtin u fokusua veçanërisht në situatën në Veri të Kosovës dhe procesit të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, proces ky i cili e ka mbështetjen edhe të Bernit zyrtar.

Breset në takim, siç thuhet në njoftimin e Presidencës së Zvicrës, ka theksuar nevojën që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa të besueshëm dhe pragmatik për ta rikthyer procesin e dialogut në binarë.

“Prandaj, diskutimet trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetë-menaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Berset ka përsëritur se mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës, meqë një gjë e tillë do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit – përfshirë pakicën serbe dhe komuniteteve të tjera – të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Berset theksoi rëndësinë që Zvicra i jep një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë zhvilluar në aspektin ekonomik, por potenciali i mëtejshëm mbetet. Siguria juridike dhe zbutja e tensioneve në rajon janë të rëndësishme në këtë drejtim”.

Të fundit

Aktuale