Lajme

Zvicra dënon fuqishëm sulmin armiqësor ndaj Policisë së Kosovës


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore – ku për pasojë ka mbetur i vdekur një zyrtar policor, ndërsa dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të policëve nga një bandë kriminale e armatosur rëndë.

“Zvicra dënon fuqishëm sulmin armiqësor ndaj Policisë së Kosovës dhe bën thirrje për qetësi dhe përmbajtje; ata që janë përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm dhune duhet të sillen para drejtësisë”, ka theksuar diplomacia zvicerane nëpërmjet një deklarate.

Aktualisht, strukturat e sigurisë po kryejnë një operacion policor kundër një grupi të armatosur terrorist që janë ngujuar në Manastirin e Banjskës që nga orët e para të mëngjesit, derisa tre terroristë janë vrarë deri më tash nga Policia e Kosovës, kurse një është arrestuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë dënuar ashpër vrasjen e policir kosovar, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se kanë qenë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët janë neutralizuar nga forcat policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore