Gjykata Speciale

ZPS kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Shalës: Nëse lirohet do përpiqet të arratiset dhe të kryejë krime


Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i vazhdohet paraburgimi ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, i akuzuar për krime lufte.

Sipas ZPS-së, ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset dhe do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në.

‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

Në parashtresën e ZPS-s po ashtu thuhet se Shala nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore