Kosova

ZPS kërkon që Dhoma Kushtetuese të refuzojë referimet e mbrojtjes së Thaçit, Krasniqit dhe Veselit


Ish-Presidentii Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga Dhoma Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të vendosura në Hagë, që të refuzojnë referimet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit.

Sipas prokurorisë, kërkesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit, është tërësisht e papranueshme për të paktën tre arsye të pavarura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tyre, së pari, mbrojtja e Thaçi ka dështuar t’i shterojë të gjitha mjetet e tjera para se t’i paraqesë pretendimet e tij në Dhomën Kushtetuese, siç kërkohet.

Së dyti, thuhet se jurisprudenca në lidhje me dy dispozitat e gjykimit të drejtë në të cilat mbështeten argumentet e Thaçit – Neni 31 (2) i Kushtetutës dhe Neni 6 (1) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (‘KEDNJ’) – e bën të qartë se në analizën përkatëse duhet merret parasysh tërësia e procedurës.

“Si rezultat, thuhet se pretendimet e Thaçit janë të parakohshme në këtë fazë të hershme të çështjes kundër tij. Dhe së treti, Thaçi nuk arrin të bëjë një shfaqje prima facie të shkeljes së kushtetutës për asnjë pretendim të tij”, thuhet në shkresën e prokurorisë.

ZPS thotë se kërkesa e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, është tërësisht e papranueshme për të paktën dy arsye të pavarura.

Së pari, sipas tyre, mbrojtja e Krasniqit ka dështuar t’i shterojë të gjitha mjetet tjera juridike para se t’i paraqesë pretendimet e tij në Dhomën Kushtetuese, siç kërkohet.

“Së dyti, argumentet e Krasniqit pretendojnë shkelje të dy dispozitave – Nenit 33(1) të Kushtetutës dhe Nenit 7(1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (“KEDNJ”) – të cilat nuk bëhen të pjekura deri pas dënimit, dhe si rrjedhojë janë të parakohshme. Përveç kësaj, dy nga tri pretendimet e Krasniqit në kërkesë janë të papranueshme sepse nuk paraqesin pretendimin prima facie për shkelje kushtetuese. Për të gjitha këto arsye, kërkesa duhet të hidhet poshtë”, thuhet në shkresën e prokurorisë.

Edhe për kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, prokuroria thotë se kërkesa është tërësisht e papranueshme për të paktën dy arsye të pavarura.

“Së pari, Veseli ka dështuar t’i shterojë të gjitha mjetet e tjera juridike para se t’i paraqesë  pretendimet e tij në Dhomën Kushtetuesë, siç kërkohet. Së dyti, secila prej pretendimeve të Veselit (të identifikuar si Bazat 1-5 në kërkesë, dhe të referuara si të tilla në këtë dosje për qartësi) dështojnë, për një arsye ose një tjetër (dhe disa për arsye të shumta), për të vërtetuar një shkelje prima facie të një e drejtë kushtetuese, prandaj duhet hedhur poshtë si e papranueshme”, thotë prokuroria.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi i është drejtuar me referim kolegjit të Dhomës Kushtetuese, për shkelje të drejtës themelore të këtij të fundit për një gjykatë të pavarur, të paanshme të krijuar me ligj dhe të drejtën për një mendim të arsyetuar.

Ndryshe, mbrojtja e Jakup Krasniqit, i është drejtuar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se ZPS, i ka shkelur Krasniqit të drejtat individuale të garantuara me Kushtetutë, duke e akuzuar për format bazë dhe të zgjeruara të ndërmarrjes së përbashkët kriminale (NPK).

Kurse, mbrojtja e Kadri Veselit i ka kërkuar Dhomës Kushtetuese referim lidhur me kundërshtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndryshe, më 9 nëntor të vitit të kaluar, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore