Gjykata Speciale

ZPS-ja urdhërohet që deri më 14 dhjetor ta dorëzojë listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në janar-mars


Gjykata Speciale.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që listën e dëshmitarëve që planifikohen që të dëshmojnë gjatë periudhës janar-mars ta dorëzojë jo më larg se 14 dhjetori.

Ky urdhër është marrë në fillim të seancës gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Trupi gjykues i kujton ZPS-së që detyrimin sipas paragrafit 73 për përshpejtimin gjyqësor sa i takon njoftimin e dëshmitarëve që ZPS-ja synon që të thërras për periudhën tre mujore në vijim”.

“Duke marrë parasysh këtë, trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të dorëzoj një listë të dëshmitarëve që planifikon që të jepni dëshmi gjatë periudhës janar deri në mars të 2024, por jo më vonë se të enjten me 14 dhjetor 2023”, tha Smith III.

Dëshmitari Sadik Halitjaha, në seancën e së mërkurës ka thënë se avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e kishte quajtur të shantazhuar.

Për këtë gjyqtari Smith, tha se mbrojtja e interesave të dëshmitarëve është përgjegjësi e trupit gjykues dhe jo e avokatëve.

“Trupi gjykues dëshiron që të qartësoj dy çështje, e para avokatët e mbrojtjes janë për të përfaqësuar interesat e klientëve të tyre dhe askush tjetër në këto proces gjyqësore. Përgjegjësia për të mbrojtur interesat e drejtpërdrejta e dëshmitareve është përgjegjësi e këtij trupit gjykues dhe jo e avokatëve mbrojtës”.

“Në qoftë se një palë do të ngrehë një çështje që ka të bëjë me të drejtat ose me statusin e viktimave duhet që të jepet njoftim paraprak në mënyrën dhe në kohën e duhur dhe me shkrim për palën kundërshtuese për trupin gjykues sa i takon synimit për të ngritur një çështje të tillë dhe duhet që të jepen gjithashtu hollësi të përshtatshme për çështjen që dëshirojnë tani që të ngrehin shqetësimin e tyre”, tha Smith.

Ndërsa, potencoi se çështja e ngritur nga avokati Ben Emmerson, është vlerësuar nga ZPS-ja se ka vepruar në përputhje me procedurat dhe rregulloret që parashihen për zhvillimin e procesit gjyqësor.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore