ZPS-ja me pyetje shtesë në dëshminë e Zyrapit, mbrojtja kërkon mundësinë e kundërpyetjeve

Seanca në Gjykaten Speciale.

Altina Marmullaku
16.07.2024 12:14
Loading Icons...

Bislim Zyrapi, dëshmitari i 75-të në Speciale të martën është marrë në pyetje në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), nga prokurorja Clare Lawson ku dolën çështje shtesë për të cilat mbrojta kërkoi nga trupi gjykues që t’u jepet mundësia e kundërpyetjeve kjo pasi për ta kjo situatë është “e pazakonshme”.

“A do të na jepni mundësinë që të bëjmë kundërpyetje? Se po dalin materiale të reja që unë dua t’i shqyrtoj më tej me dëshmitarin. Kjo është një situatë e pazakontë për ne. Nëse po e prezanton një praktikë të tillë për herë të parë, atëherë për ne është situatë e pazakontë”, tha avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Një kërkesë të ngjashme e pati edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiç.

“Këto pyetje duhet të bëheshin kur i bëri pyetjet fillimisht dhe jo gjatë pyetjeve plotësuese”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i kërkoi mbrojtjes që në një moment tjetër të bëjnë kundërshtimet e tyre.

“Mbarojmë me këtë pjesë dhe pastaj kur të jetë momenti i duhur ju lutem bëjeni të qartë qëndrimin tuaj ose më saktë bëni kundërshtimin tuaj”, tha Charles Smith III.

Lidhur me këtë kërkesë gjyqtari Fergal Gaynor tha se kjo gjë lejohet sipas një vendimi të trupit gjykues.

“I nderuar zoti Mishetiç paragrafi 112 i urdhrit tonë e trajton shumë mirë çështjen e pyetjeve plotësuese. Thotë: Trupi gjykues do të lejojë pyetje plotësuese vetëm nëse prezantohen materiale të reja gjatë kundërpyetjeve apo pyetje plotësuese. Kështu që kjo është e lejueshme dhe ju mund t’i përdorni po ashtu materialet”, tha ai.

Pasi përfundoi pyetjet e saj Lawson, trupi gjykues miratoi kërkesën e Emmerson dhe kështu me kundërpyetje po vazhdon avokati Mishetiç.

Gjatë pyetjeve shtesë, prokurorja Laëson pyeti dëshmitarin se a ka pasur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm jashtë Kosovës që i kanë dhënë atij informata.

“Jashtë Kosovës ka qenë komandanti i përgjithshëm, Azem Syla”, deklaroi Zyrapi.

E martja është dita e nëntë që Zyrapi po dëshmon në Gjykatën Speciale.

Të fundit

Aktuale