Lajme

ZPS dorëzon aktakuzën e ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit


Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake, të datës 22 korrik 2022 dhe 29 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Më 29 shtator, gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, ku akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ka miratuar kërkesën e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.

Duke kujtuar se ZPS-ja ishte urdhëruar më parë që të ndryshojë aktakuzën aktuale deri më 30 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, në interes të efikasitetit, urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila ende mbetet për t’u dorëzuar brenda afatit të njëjtë.

“Në interes të efikasitetit, ZPS-ja kërkon një orar të përshpejtuar për të mundësuar ngritjen e një aktakuze tjetër të ndryshuar deri në afatin e 30 shtatorit 2022 që përfshinë gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese”, thuhej në njoftim.

“Sa i përket kërkesës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake vëren se afati për dorëzimin e përgjigjeve në kërkesë ka kaluar dhe as mbrojtësi përkatës i të akuzuarit dhe as mbrojtësi i viktimave nuk kanë dorëzuar përgjigje”.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale, Hagë

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore