Lajme

Zoti Ugur dhe “gruaja e tij”


Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vijon me deklaratat e tij misogjene kundrejt rolit të gruas në shoqëri.

Në një deklaratë mbi Sistemin e Qeverisë Presidenciale të premten e 9 korrikut, ai bëri ftesë publike për “Ugur Beu-n dhe gruan e tij”.

Ozlem Tureci ishte gruaja, të cilës nuk iu përmend emri nga ana e presidentit turk. Ajo është bashkëshortja e Ugur Sahin dhe të dy njihen si krijuesit e vaksinës COVID-19, të kompanisë BioNTech.

Lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të vaksinimit në Turqi kundër llojit të ri të Coronavirus-it (COVID-19), Erdogan tha që “Ugur Beu dhe gruaja e tij do të jenë mysafirët e Turqisë në të ardhmen e afërt”.

“Ne do të bëjmë hapa shumë më të shpejtë me Biontech. Ne do të bëjmë çfarëdo që mundet për të kapërcyer hezitimin ndaj vaksinimit në Dijarbakir”, tha ndër të tjera.

Incidenti “i kolltukut”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbeti pa karrige në pritjen që i bëri në Ankara presidenti turk, Recep Teyyip Erdogan.

Ajo shkoi në Turqi së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Të tre u futën në sallë, por karrige kishte vetëm për dy prej tyre. Ajo mbeti në këmbë.

Dy burrat u ulën, ndërsa asaj i takoi një divan anësor.

Episodi i pazakontë u kap nga kameramanët dhe pushtoi të gjitha kronikat.

Katonizmi

Barrington Moore ka përdorur diskursin konservator të “Plakut Kato” për të dhënë konceptin e tij të Katonizmit në librin e tij, “Origjina Sociale e Diktaturës dhe Demokracisë”.

Kjo, në mënyrë që të eksploronte konservatorizmin dhe autoritarizmin në vende si Japonia apo Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

Misogjinia karakterizohet shumë në Katonizmin e Moore-t, dhe Gjermania naziste e ilustron fare mirë këtë fenomen. Moore jep shembullin e vizionit familjar të Gjermanisë Naziste, “Kinder, Kirche, Küche” (fëmijë, kishë, kuzhinë), i cili shihej si një mjedis i shëndetshëm shtëpiak për gratë.

Në të vërtetë, gratë në Gjermaninë naziste do të kishin një rol shumë specifik, të cilin Hitleri e bëri shumë të qartë. Gratë do të ishin nëna të mira që rrisnin fëmijët në shtëpi ndërsa burrat e tyre dilnin për të punuar.

Jashtë fushave të caktuara të specializuara, Hitleri nuk shihte asnjë arsye se pse një grua duhet të punonte.

Për më tepër, familjet inkurajoheshin të kishin sa më shumë fëmijë. Në Gjermaninë naziste aborti u ndalua dhe metodat e kontrollit të lindjes nuk u diskutuan.

Ministri i Brendshëm, Joseph Goebbels, kolegu i Hitlerit, tha se misioni i grave është të jenë të bukura dhe të sjellin fëmijë në botë.

Fjalimet e Erdogan-it

Fjalimet dhe politikat e Erdogan-it ofrojnë paralele si për gratë, ashtu edhe për çështjet gjinore.

Ashtu si Kato, Erdogan ka thënë që gratë dhe burrat nuk duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, sepse bie ndesh me ligjet e natyrës. Në një fjalim, ai tha:

“Karakteret, zakonet dhe fiziku i tyre janë të ndryshme. Ju nuk mund ta vendosni një nënë që i jep gji foshnjës së saj në të njëjtën bazë me burrat. Ju nuk mund t’i bëni gratë të punojnë në të njëjtat punë si burrat, si në regjimet komuniste. Ju nuk mund t’u jepni një lopatë dhe t’u thoni të bëjnë punën e tyre. Kjo është në kundërshtim me natyrën e tyre delikate”.

Për më tepër, Erdogan ka një mendim të ngjashëm me politikën familjare konservatore të Gjermanisë Naziste në advokimin se familjet në Turqi duhet të kenë të paktën 3 fëmijë.

Presidenti ka pohuar se gratë kanë për detyrë të jenë “nëna të ardhshme të arsimuara mirë” dhe se ato nuk duhet të përdorin kontrollin e lindjeve, pasi është në kundërshtim me traditat myslimane.

“Do ta them qartë… Ne duhet të rrisim numrin e pasardhësve tanë. Njerëzit flasin për kontrollin e lindjeve, për planifikimin e familjes. Asnjë familje myslimane nuk mund ta kuptojë dhe pranojë këtë. Siç tha Zoti dhe siç tha profeti i madh, ne do të shkojmë në këtë mënyrë. Dhe në këtë drejtim, detyra e parë u takon nënave”, theksonte Erdogan-i.

Dhuna ndaj grave

Turqia u tërhoq zyrtarisht nga traktati ndërkombëtar për parandalimin e dhunës ndaj grave, duke ngjallur reagimin e shumë turqve dhe aleatëve perëndimorë.

Mijëra njerëz protestuan në të gjithë Turqinë, pasi një gjykatë refuzoi kërkesën për ta pezulluar tërheqjen nga traktati.

“Ne do ta vazhdojmë përpjekjen tonë”, tha Canan Gullu, presidente e Federatës së Shoqatave të Grave të Turqisë.

Ajo tha se që nga marsi, gratë dhe grupet e tjera shoqërore të cenueshme, kanë kërkuar më shumë nga sa kanë marrë ndihmë, pas vështirësive të shkaktuara nga pasojat e pandemisë, që shkaktuan edhe rritjen e dhunës ndaj tyre.

Konventa e Stambollit, e negociuar në qytetin më të madh të Turqisë dhe nënshkruar më 2011, i detyron shtetet nënshkruese që ta parandalojnë dhe dënojnë dhunën në familje dhe ta promovojnë barazinë.

Tërheqja e Ankarasë zyrtare është përcjellë me kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore