Shqipëria

Zonja e Parë viziton Beratin me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike


Në Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike, Zonja e Parë Armanda Begaj, ishte në Berat për të vizituar së bashku me një grup nxënësish të këtij qyteti Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, si dhe muzeun dedikuar shpëtimit të hebrenjve “Solomoni”.

Begaj zgjodhi pikërisht qytetin e Beratit, të regjistruar në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve për rëndësinë e njohjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

Vizita e saj është vijim i iniciativës së saj dhe të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare dhe për të theksuar rëndësinë që ka edukimi i fëmijëve mbi këtë trashëgimi.

Në Muzeun Kombëtar “Onufri” nxënësit dëgjuan me shumë kureshtje Anila Dobroniku, ciceronen e këtij muzeu, e cila si në një orë mësimi historie u shpjegoi nxënësve çfarë janë ikonat dhe pse ato ishin të nevojshme për kohën.

Gjithashtu patën mundësinë që të njiheshin me mjeshtërinë e Onufrit, si dhe të ikonografëve të tjerë të ekspozuar në muze.

Duke iu drejtuar fëmijëve, Begaj tha ndër të tjera se: “Ju fëmijë keni fatin e madh të rriteni në një qytet me një trashëgimi shumë të lashtë e të jashtëzakonshme kulturore. Berati është një pasuri e juaja, e të gjithëve ne, por edhe e të gjithë njerëzimit. Ndaj ju keni detyrën e bukur ta njihni qytetin tuaj, vendin tuaj, të çmoni pasurinë artistike e kulturore të tij, ta ruani por edhe ta promovoni atë kudo ku të jeni”.

Pas vizitës në Muzeun “Onufri”, Zonja e Parë së bashku me nxënësit që e shoqëronin vizituan edhe Muzeun “Solomoni”, i cili i dedikohet historisë së shpëtimit të hebrenjve në Berat.

Me dëshirën dhe përkushtimin për të nxitur leximin dhe njohjen e historisë te fëmijët e tek të rinjtë, Begaj u dhuroi fëmijëve libra mbi trashëgiminë dhe historinë e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore