Shqipëria

Zjarret në Shqipëri, shpallen në kërkim dy shtetas


Policia e Korçës dhe e Tropojës të mërkurën e 11 gushtit kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasve për zjarrvënie dhe i kanë shpallur në kërkim.

Korçë

Bëhet me dije se shtetasi R. R., banues në fshatin Leshnjë, Korçë, ka djegur 1 hektar sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushk.

Në vijim, për sa i përket situatës së zjarreve janë shfaqur vatra të reja zjarri. Përkatësisht në afërsi të fshatrave Gjonomadh dhe Krushovë ka rënë zjarr. Për pasojë janë djegur sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.

Ndërkohë vijon zjarri në zonën e mbrojtur Gur të Nikës, për shkak të erës së fortë u riaktivizua sërish zjarri i mëparshëm.

Situata është e vështirë për ta përballuar dhe nuk ka rrezik për banesat.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre zjarrvënieve.

Tropojë

Në Tropojë shtetasi Sh. D. dogji me zjarr një sipërfaqe pylli në afërsi të fshatit Dragobi. Për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me ah dhe shkurre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Situata e zjarreve

Prej më shumë se një javë zjarret kanë kapluar Shqipërinë. Ndër qarqet më problematike vijojnë të ngelet Kukësi.

Forcat operacionale, të cilat janë në terren prej më shumë se një jave, janë përqendruan në Majën e Rrunës dhe vatrat e saj aktive.

Ndërkohë Forcat e Armatosura shqiptare së bashku me ndihmën e forcave të Kosovës kanë mundësuar izolimin e vatrës te zona Qafa e Kumbullës.

Laku i Mollës vijon të jetë aktive me intensitet të lartë që është në kufi me Pukën.

Kjo vatër e rrezikshme pritet që të afrohet në Pukë-Mirditë-Kukës, në zonën e quajtur Laku i Thive.

Edhe ana Laku i Qershive vijon të mbetet problematike. Terreni ka ndërlikuar punën e forcave nga toka si pasojë e pjerrësisë dhe zonës shkëmbore. Nuk ka akoma rrezik banesash.

Kukësi ishte ndër qarqet më të prekura nga zjarret. Tuneli i Kalimashit, fatmirësisht shpëtoi nga flakët, pasi u arrit në kohë neutralizmi i tyre përpara mbërritjes në tunel. E gjithë zona mbi kalimin tejpërtej malit ishte e kapluar nga zjarri.

Në qarkun e Lezhës, puna ka vijuar për shuarjen e flakëve në Munellë dhe Domgjon. Nga ana e Domgjonit, flakët janë izoluar. Gjithsesi, vatra ka shtrirje të gjerë në terren.

Një vatër e pazakontë ka qenë ajo e një depoje gomash të përdorura në Fushë-Krujë. Zjarri aty është drejt shuarjes.

Në Tomorr ka pasur riaktivizim të vatrave të zjarrit. Fshati Therepel në Skrapar, po ashtu është rrezikuar, por situata është vënë nën kontroll.

Zjarr ka rënë edhe në fshatin Kuç të Vorës, ku u dogj një sipërfaqe me shkurre.

Puna e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, po ashtu, vijon në luftën me flakët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore