Shqipëria

Zjarri në Komisariatin e Kamzës, 26-vjeçari që humbi jetën dyshohet se i vuri flakën qelisë


Arben Mici dyshohet se ishte ai që i vuri zjarrin qelisë në Komisariatin e Kamzës dy ditë më parë, ku për pasojë humbi dhe jetën për shkak të plagëve të marra.

Paraprakisht mendohet se 26-vjeçari e thuri planin e zjarrvënies bashkë me të arrestuarin tjetër, Dilaver Idrizin, me qëllimin për t’u arratisur. Autoritetet nuk përjashtojnë as pistën e një veprimi të 26-vjeçarit në gjendje të rënduar psikologjike, pasi më parë ai kishte tentuar vetëvrasjen.

Sakaq Idrizi në dëshminë e tij ka deklaruar se është nxjerrë nga qelia nga punonjësi i Policisë Hajredin Boja. Ky i fundit akoma nuk ka dëshmuar për shkak të gjendjes së tij të rënduar.

Kujtojmë se për shkak të kësaj ngjarjeje Boja dhe Fatmir Isufi, që ishin përgjegjës për të siguruar dhomat e paraburgimit, janë arrestuar ndërsa penalisht po procedohen edhe inspektorët Lutfi Muça dhe komisar Ylli Çallaku.

Të gjithë akuzohen për mosrespektim të rregullave të sigurisë në paraburgimin e komisariatit dhe shpërdorim detyra.

Sipas hetimeve, në mungesë të kontrollit, ata kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga Arben Mici dhe Dilaver Idrizi.

26-vjeçar ishte arrestuar për shkak të dhunës që kishte ushtruar ndaj nënës së tij. Ndërsa Idrizi ishte arrestuar pasi hodhi bashkëjetuesin nga kati i tretë i një pallati në Kamëz.

Nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë qëllim vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, përcaktimin e saktë të vatrës së zjarrit dhe mjeteve që kanë shërbyer për vënien e zjarrit në ambientet e brendshme të dhomave të paraburgimit të këtij Komisariati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore