Lajme

Zjarri në IML: Prokuroria nis hetimet – opozita kërkon dorëheqjen e ministres Haxhiu


Foto: Albanian Post

Zëdhënësja për media e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se ky organ i akuzës ka nisur hetimet për zjarrin që shpërtheu të martën në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti”, tha ajo.

Ulaj po ashtu ka theksuar se prokurori i shtetit ka lëshuar “disa autorizime” për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme.

Ndërsa Albanian Post me burime brenda Institutit ka kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.

Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit. Kjo s’është hera e parë që po digjet një pjesë e IML-së në këtë vit.

Në muajin mars objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët gjithashtu. Atëherë dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua.

Në IML ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim. Këto s’janë parregullsitë e vetme me këtë institut.

Në po të njëjtin, për një kohë të gjatë u tha se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.

A lidhet zjarri me zhvillimet e fundit?

Të hënën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u thirr nga Prokuroria Speciale për të ofruar dëshmitë që ajo thoshte se i kishte për “vrasësit e Astrit Deharit”.

Haxhiu nga pozita e ministres kishte deklaruar se dihet fare mirë kush e ka kryer krimin dhe se provat ekzistojnë, thjesht mungon vullneti i sistemit të drejtësisë për ta zbardhur ngjarjen.

Ndryshe nga sa kishte shkruar publikisht, e thirrur për të ofruar dëshmitë në prokurori, ajo s’ka pasur asgjë për të thënë, përveç përsëritjes së dyshimeve të saja për rastin, për të cilat tha se, “përbëjnë prova”.

Nga opozita kanë thënë se po presin hetimet për të kuptuar se çfarë ndodhi, por s’kanë hezituar ta bëjnë një ndërlidhje mes situatës së sotme dhe intervistës së djeshme të ministres.

“Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, shkroi Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Opozita reagon ashpër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë rastin e djegies së dy zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ai ka theksuar se po ashtu kërkon nga që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje, derisa ka shtuar se “Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti’.

“Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratiket të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje.

“Zjarri ka kapluar QKUK-në kurse heshtja ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit. Para pak kohësh zjarri përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku pati edhe një viktimë e brenda pak kohëve, tash e disa herë digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore. Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kjo është hera e dytë brenda vitit që IML-ja përfshihet nga flakët.

Albanian Post kupton se në IML u dogjën dy zyrat kryesore – Kush/Çka ia vuri flakën Institutit të Mjekësisë Ligjore?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore