Zjarri në ‘Elephant and Castle’, gjashtë të lënduar mes flakëve

SHFLETO
Sadiola Xhelili
28.06.2021 22:00
Loading Icons...

Shtëllungat e tymit që mbuluan qiellin e Londrës jugore, lanë pas gjashtë vetë të plagosur dhe disa ndërtesa të evakuuara.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se afro 100 zjarrfikës luftuan me flakët në disa harqe hekurudhore pranë stacionit “Elephant and Castle”.

Brigada e Zjarrit në Londër (LFB) ka raportuar se tre njësi tregtare ishin të përflakura së bashku me gjashtë makina dhe një kabinë telefonike.

Kurse Shërbimi i Ambulancës në Londër ka treguar se kishte trajtuar gjashtë persona në vendin e ngjarjes, me një prej tyre që u dërgua në spital.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Londrës, një oficer policie ishte mes njerëzve që kishin nevojë për trajtim prej efekteve të thithjes të tymit.

BBC bën me dije se njerëzit që jetojnë në zonë u paralajmëruan të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura. Ndërsa për trenat, ata nuk pritet të kalojnë nëpër stacion për pjesën tjetër të ditës.

Në vendngjarje u thirrën pesëmbëdhjetë makina zjarrfikëse, me zjarrin që mendohet të ketë filluar në disa garazhe afër stacionit hekurudhor.

LFB-ja ka zbuluar se pesë persona ishin arratisur para se të mbërrinin ekipet e zjarrfikësve në vendngjarje.

Anthony King është shprehur për BBC se ishte gati të kapte trenin e tij kur pa tymin që dilte nga një mekanikë makinash dhe “pas afro pesë deri në gjashtë minuta, bombolat u ngritën”.

51-vjeçari ka treguar se më pas zjarri u përhap në harqet fqinje dhe “kishte një tym të ashpër që ngrihej aq lart sa kullat e reja”.

Ndërkohë, një 25-vjeçare, Sara Scarpa, e cila jeton në ndërtesën e afërt të apartamenteve Hurlock Heights, ka thënë se “ne hapëm dritaren për një sekondë pasi mund të dëgjoje njerëz duke bërtitur, dhe ne nuhatëm diçka shumë, shumë të fortë”.

“Tymi po shuhej pak…dëgjuam një shpërthim dhe filloi përsëri”, vijoi e reja.

Alex Lecki, i cili punon në një restorant te “Elephant and Castle”, ka rrëfyer se e gjithë ndërtesa e tij ishte evakuuar.

“Ne pamë që dilte tym…shtylla e tymit filloi të mbështjellë edhe blloqet e apartamenteve dhe ne vazhdonim të dëgjonim goditje të përhershme”, ka thënë 30-vjeçari.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se policia kishte “treguar se mund të kalonte ca kohë” para se të lejoheshin të ktheheshin.

21-vjeçari Abdullah Safi, punonjës restoranti, ka treguar se flakët “po digjeshin aq lart” dhe po arrinin afro 15 metra lartësi.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka kaq të madhe, isha i frikësuar. Dhe ajo shpërtheu dy herë”, ka thënë ai.

Pak pas orës 15:30, zjarri ishte nën kontroll, por LFB-ja ka bërë me dije që zjarrfikësit do të qëndronin në vendngjarje edhe për disa orë për të zbutur vendin e ngjarjes.

Lidhur me shkakun e zjarrit, ende nuk dihet.

Sadiq Khan, kryebashkiaku i Londrës, ka vlerësuar shërbimet e urgjencës, të cilat kishin vepruar shpejt për të siguruar që të dy banorët lokalë dhe pasagjerët në stacionin “Elephant and Castle” të ishin evakuuar në mënyrë të sigurt.

Network Rail, kompani hekurudhore, ka paralajmëruar se dukej që pajisjet sinjalizuese ishin përfshirë nga flakët, megjithëse inxhinierët nuk ishin të sigurt për shkallën e dëmtimit të tyre.

Linja e trenit, Thameslink, ka bërë me dije se trenat nuk pritej të lëviznin për pjesën tjetër të ditës me shërbime midis rrugës Albans dhe Sutton dhe midis London Blackfriars dhe Sevenoaks të prekur.

BBC shkruan se udhëtarët janë këshilluar të përdorin autobusë, shërbime nëntokësore të Londrës, tramvaj ose disa trena të drejtuar nga hekurudha Juglindore, Jugore dhe ajo Jugperëndimore.