Shqipëria

Zjarret në Shqipëri: 27 vatra të raportuara në 24 orë, 18 janë shuar


Ministria e Mbrojtjes ka publikuar raportin e fundit sa i takon situatës me zjarre në vend, ku 27 vatra janë raportuar në gjithë territorin dhe prej tyre, 18 janë shuar plotësisht.

Vijojnë të jenë aktive ditën e sotme vatra e zjarrit midis fshatit Kakarriqit, njësia administrative Balldren, dhe fshatit Gjadër, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë, zjarri në fshatin Zavaline, bashkia Elbasan.

Në njësinë administrative Gostimë, bashkia Elbasan po punohet për shuarjen e një tjetër vatre. Ekipet e emergjencave vijojnë punën për shuarjen e vatrave edhe në  zonën pyjore Bode, bashkia Maliq, në fshatin Kus, bashkia Tiranë, në fshatin Mushnik, bashkia Rrogozhinë, në fshatin Vorfë, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Salari, bashkia Tepelenë si dhe në parkun kombëtar Qafshtamë, bashkia Krujë.

Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve në 24 orët e fundit janë angazhuar 599 forca operacionale dhe 452 mjete.

Kërkojmë nga të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile angazhimin e tyre maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarret.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, është njohur nga afër me veprimet bashkërenduese të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në rang vendi dhe reagimin e të gjitha forcave të angazhuara pranë vatrave të zjarreve në këto ditë me temperatura ekstreme.

Zjarret/ Vëngu lajmëron modernizim të mjeteve, kërkon ndërgjegjësim të qytetarëve

Në vizitën e tij pranë Qendrës Operacionale kombëtare të Mbrojtjes Civile, Vëngu e vuri theksin në nevojën për të siguruar identifikimin në kohë reale të vatrave dhe për të pasur një reagim sa më të shpejtë ndaj situatave.

“Modernizimi i mjeteve, sistemeve dhe pajisjeve në funksion të përballimit të emergjencave në çdo bashki të vendit është një përparësi dhe do të vijojmë të investojmë fuqishëm në këtë drejtim”, theksoi Vëngu duke nënvijëzuar se “AKMC është një instrument në  dispozicion të pushtetit vendor, dhe të prefektëve për të angazhuar një gamë të gjerë resursesh kombëtare dhe për të pasur një menaxhim më të shpejtë të situatave”.

Një aspekt tjetër i mirëmenaxhimit të emergjencave, është edhe ndërgjegjësimi i banorëve dhe enteve përgjegjëse për marrjen e masave parandaluese.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të investojë në rritjen e kapaciteteve të personelit të emergjencave të Bashkive dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve në zonat me risk”.

“Duhet të kemi patjetër në vëmendje elementin parandalues dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve për reagime të caktuara përballë rreziqeve të caktuara, atëherë edhe ndërhyrja është edhe më e shpejtë dhe më eficiente”, përmbylli ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore