Shqipëria

Zjarr i qëllimshëm në Qafë-Shtamë, shkrumbohet një pjesë e pyllit


Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e Qafë-Shtamës të Matit, duke djegur dhe shkrumbuar një pjesë të mirë të pyllit në atë zonë.

Zjarri ka marrë jetë që në orët e paradites dhe ende po punohet për përmbajtjen e tij në një zonë të kufizuar dhe fikjen e mëtejshme.

Zjarri është cilësuar i qëllimshëm pasi ka shpërthyer në disa vende të ndryshme, duke rrezikuar kështu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore të përbërë kryesisht nga pyje ahu.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e zjarrit, Bashkia Mat ka angazhuar të gjitha strukturat e nevojshme, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shërbimeve të Higjienës (MZSH), Emergjencat Civile, si dhe Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pyjeve.

Për shkak të shkallës së madhe të përhapjes së zjarrit, kërkohet ndërhyrje nga ajri dhe toka me forca ushtarake për të arritur një fikje të plotë të vatrës dhe për të parandaluar dëmet mjedisore dhe ekonomike që shkakton djegia e pasurive pyjore.

Ky është vetëm zjarri i radhës në Shqipëri, ku së fundmi, qoftë për pakujdesi, qoftë për qëllimësi, ato janë shtuar.

Një zjarr i madh në Finiq më 8 gusht, rrezikoi edhe Parkun Arkeologjik në këtë zonë.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar vetëm mëngjesin e së premtes se është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë.

Kjo, pas punës edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar.

Gjithashtu bëhet me dije se situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Kujtojmë se dje zjarri i madh i rënë në Finiq, pati hyrë tashmë edhe në territorin e Bashkisë Delvinë dhe po përhapet me shpejtësi të madhe në një zonë me ullishte.

Sipas raportimeve, zjarri rrezikonte ullinjtë në fshatin Stjar dhe tokat në këtë fshat janë përpirë nga flakët.

Zjarri i fuqishëm përfshiu Finiqin në mesditën e 8 gushtit.

Nga flakët raportohej se po rrezikoheshin edhe banesa.

Nga flakët janë djegur ullinj, por dhe bimësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore