Lajme

Zhvillimet e fundit në Veri treguan sa e pabazë ishte retorika se perëndimi “ia mban anën Serbisë”, Qeveria ta shfrytëzojë momentumin e ri


Ilustrim

Albin Kurti nuk duhet të ndikohet nga koncepti i politologut John Mueller, “Rally around the flag effect”, i cili shpjegon rritjen afatshkurtër të mbështetjes popullore ndaj qeverisë ose liderëve politikë të një vendi gjatë periudhave të krizave ndërkombëtare ose luftës, por të shfrytëzojë momentumin e ri të krijuar pas situatës në Manastirin e Banjskës e të korr fitore diplomatike në raport me Serbinë në procesin e dialogut.

Përmbysja e rëndesës së presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës drejtë Serbisë pas situatës së re të krijuar në terren, kur grupi terrorist i financuar nga Serbia u fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj, sipas analistit politik Afrim Kasolli, duhet të përdoret në mënyrën më të mirë.

Pas fitores së betejës në terren, ndonëse Policia e Kosovës humbi një pjesëtar të saj, fitorja tashmë duhet të korret edhe në diplomaci sidomos në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, sugjeron ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Kasolli.

“Nuk ka dyshim se ky momentum ka krijuar një klimë më të favorshme dhe mirëkuptuese për shtetin e Kosovës. Prandaj, mund të shkohet në dialog, por duke ndjekur një rrugë të bashkëpunimit diplomatik me shtete të veçanta. Dhe ky kombinim strategjik mund ta forcojë pozicionin e Kosovës në dialog”, pohon ai në një prononcim për Albanian Post.

Kurti nuk duhet të bie pre e konceptit apo siç njihet ndryshe edhe sindromi i artikuluar nga politologu amerikan i cili argumenton se liderët shtetërorë përdorin krizat për të shmangur trajtimin e çështjeve serioze të brendshme apo ato të jashtme, por duhet ta lë anash “kokëfortësinë” e tij e “fryrë” tashmë edhe nga mbështetja popullore pas situatës së 24 shtatorit duke u treguar konstruktiv e bashkëpunues me komunitetin ndërkombëtar.

Mos-koordinimi paraprak i Qeverisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar dihet se çfarë solli – sanksionet.

“Qeveria shkonte në dialog, por paralelisht me të i dëmtonte mundësitë diplomatike të shtetit të Kosovës. Sepse nuk mund të pritet sukses nga ky proces kur hapur ofendohet Sekretari i Shtetit të Amerikës, Antony Blinken e diplomati Gabriel Escobar. Pra me këto sjellje Qeveria i dëmtonte përfitimet që mund të krijohen nga diplomacia. Dhe kështu shkonte e vetmuar në dialog vetëm e drejtuar nga narracioni se si Albin Kurti, si një hero vetmitar, po mbron drejtësinë dhe demokracinë vendore e globale”, argumenton më tej Kasolli.

Ky kurs mos-bashkëpunim me botën Perëndimore sidomos me aleatët, sipas Kasollit, gjithashtu ia pat mundësuar një komoditet jo të vogël presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Prandaj, ngjarjet e së dielës, beson ish-ligjvënësi kosovar, i kanë krijuar tashmë një mundësi qeverisë së Kosovës, që ta korrigjojë këtë gabim.

“Ta fillojë t’i përdor njëkohësisht mjetet diplomatike me shtetet të veçanta mbështetëse të Kosovës dhe të shkojë në tavolinën e dialogut më e fortë me këtë përkrahje”, shton ai.

Marrë për bazë faktin se sponsorizuesit e procesit të bisedimeve në Bruksel çdo ditë përsërisin togfjalëshin se dialogu nuk ka alternativë, filozofi dhe publicisti, Shkëlzen Maliqi, beson se Kosova ka përpara momentumin i cili duhet shfrytëzuar, por jo më duke akuzuar emisarët.

“Momentumi është, por qeveria dhe opozita nuk duhet të merren me akuzat ndaj emisarëve të dialogut, por me proceset dhe rreshtimet reale”, thekson Maliqi për AP.

Megjithatë sipas Maliqit bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vazhdojnë në formulën e derisotme e cila lejonte manovrimet bllokuese të të dyja palëve.

“Duhet të kujtohemi se Kurti është nën sanksione, dhe nuk amnistohet lehtë nga përgjegjësia për vonesat dhe ngatërresat që shkaktonte pa nevojë. Ka gjasa që dialogu të merr një kthesë dhe përshpejtim të fuqishëm dhe rezultativ. Tashmë nuk ka iluzione për rolin e Serbisë dhe të regjimit të Vuçiç-it, pushteti aktual në Beograd s’ka më hapësirë manovruese, ose do ta pranojë kompromisin e Ohrit, madje edhe të vendos sanksione Rusisë, ose do të izolohet dhe sanksionohet”, shton ai.

Maliqi duke kujtuar qasjen absolutisht “naks” të Qeverisë së Kosovës gjegjësisht të Kurtit në raport me dialogun, i cili nënçmonte procesin si obligim prioritar e më pastaj ndërmerrte një sërë manovrash për të bishtnuar vendimmarrjen duke bllokuar dialogun, si pasojë e të cilave u vendosën edhe sanksionet, thotë se pyetja e cila duhet parashtruar në këtë fazë është se çfarë duhet të ndodh më tej pas “autogolit” të Serbisë me rastin e aktit terrorist në Manastirin e Banjskës.

“Një leksion që dua të besoj se ka marr Kurti nga rasti i Banjskës është se koordinimi me Perëndimin është i domosdoshëm dhe jetik, nuk do të ishte arritur suksesi dhe evituar lufta pa prezencën aktive të inteligjencës dhe fuqisë Perëndimore. Po, gjithsesi, policia e jonë e ka kryer punën operative me shumë sukses, por që agresioni të mos kthehet në luftë e ka penguar NATO dhe ambasadorët. Shtrijani dorën ambasadorëve dhe gjeneralëve”, sugjeron ai.

Edhe Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, është i pajtimit se pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet dinamizuar duke kërkuar që ai të përshtatë çdo herë e më shumë me politikat e sigurisë të NATO-s dhe vlerat e standardet e BE-së.

Për Kamberin ngjarjet në Banjskë të Komunës së Zveçanit treguan se bashkërendimi i autoriteteve të Kosovës me NATO-n dhe BE-në është dhe mbetet jetike në fushën e sigurisë e rrjedhimisht në aspektin politik.

“Aq më tepër duke pasur parasysh se kriza në Veri është para së gjithash politike, sikurse zgjidhja e saj. Prandaj, Banjska do të duhej të lexohej edhe si mesazh mbi rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë të autoriteteve të Kosovës me NATO dhe BE në procesin vijues politik, edhe kundrejt Veriut të Kosovë”, thotë Kamberi në një prononcim për AP.

Në anën tjetër sipas Kasollit, ngjarjet në Manastirin e Banjskës, mund të cilësohen edhe si treguesi më i mirë se sa të pabaza ishin retorikat e kultivuar kohëve të fundit ndaj komunitetit ndërkombëtar nga ana e autoriteteve të Kosovës, se këta të fundit po e inskenojnë ndonjë komplot kundër shtetit të Kosovës, e ku Qeveria e Kosovës, po ia del mbanë të rezistojë kundër të gjithë këtyre presioneve.

“Shtetet kryesore perëndimore të prira nga SHBA-të e dënuan këtë inkursion dhe pa përjashtim e njohën të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur vetveten. Për më shumë edhe suksesi i strukturave të sigurisë së Kosovës as që do të ishte paramenduar pa investimin afatgjatë që këto shtete kane bërë në përgatitjen e këtyre njësive, për ta forcuar shtetin e Kosovës që ta mbrojë vetveten në rast të rreziqeve të tilla. Sikur ato të kishin pasur interesa tjera, nuk do ta bënin gjithë këtë investim”.

Afrim Kasolli, Shkëlzen Maliqi dhe Belgzim Kamberi

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore