Shqipëria

Zhupa: Kundër devijimit të Shushicës, bëhet për t’i shërbyer investimeve strategjike


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka shprehur mbështetjen për protestën e disa banorëve dhe aktivistëve që janë kundër devijimit të degës së Shushicës, pjesë e lumit të Vjosës.

Kjo, për Zhupën, bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike.

“Prej disa ditësh banorët e 30 fshatrave ku kalon lumi Shushicë dhe aktivistë dhe ekspertë mjedisor po protestojnë për mosdevijimin dhe mos cenimin e lumit. Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi i mbrojtur”, ka thënë ajo.

Sipas Zhupës, devijimi bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike dhe resorte në Himarë, ndërkohë që prek jetën e banorëve të 30 fshatrave.

“Partia Demokratike mbështet protestën e drejtë të banorëve dhe të aktivistëve të mjedisit. Ky projekt, i pari që nis projektet e bëra gati sa të kalonte ligji që shkatërron zonat e mbrojtura , sjell një dëm të dyfishtë. Dëmton banorët dhe jetesën e tyre të përditshme të lidhur me lumin Shushica dhe dëmton degën e parkut Kombëtar Vjosa duke shkatërruar mbrojtjen e tij dhe ekosistemin dhe duke hapur precedent për shkatërrime të mëtejshme të këtij lumi”, ka theksuar Zhupa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore