Zhegrova reagon pas “përjashtimit” nga kombëtarja e Kosovës: Do të flas në fushë… së shpejti
Edon Zhegrova
Armat Matoshi
08.09.2024 17:10Pas përjashtimit nga grumbullimi për ndeshjet e shtatorit në kuadër të Ligës së Kombeve, ylli i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka reaguar të dielën duke i cilësuar “lajme të pavërteta” raportimet e mediave rreth asaj se çfarë qëndron prapa vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
FFK-ja ka njoftuar se Zhegrova, Aro Muriç e Florent Muslija janë larguar për shkelje të rregullores, por nuk ka dhënë detaje, ndërsa mediat kanë raportuar se vendimi i FFK-së është marrë pas dyshimeve se ata kanë qëndruar në një klub nate në Prishtinë, pas humbjes nga Rumania në Ligën e Kombeve.
“Këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte. Do të flas në fushë së shpejti”, ka shkruar sulmuesi 25-vjeçar në rrjetin “Instagram” të dielën gjatë ditës, pak minuta pas rrëfimit të Muriçit, i cili gjithashtu ka mohuar akuzat rreth “klubeve të natës” teksa e ka e cilësuar “të padrejtë” vendimin e FFK-së.
Kosova të premten e 6 shtatorit u mposht 3:0 në ndeshjen e parë të kampanjës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në kuadër të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve do ta zhvillojë të hënën (nesër, 9 shtator) në udhëtim ndaj Qipros.
Përjashtohen nga grumbullimi Zhegrova, Muric e Muslija – “thyen rregulloren”